Hulumtuesi i KDI-së, Vullnet Bugaqku, ka thënë se afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundon më 7 gusht.
Sipas tij, deri në këtë datë duhet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, në mënyrë që institucioni të funksionalizohet.
“Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tashmë ka filluar nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe ky 30-ditësh përfundon më datë 7 gusht, domethënë llogaritet periudha e cilës parlamenti i Kosovës duhet të jetë i konstituuar. Pra, kjo nënkupton që duhet ta kemi të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, deri në këtë datë unë besoj që Kuvendi duhet të funksionalizohet, në të kundërtën shkelet afati 30-ditor, afati kushtetues që është vendosur nga vetë Gjykata Kushtetuese. Por fatkeqësisht, nuk është se e dimë se cila është pasoja kushtetuese apo edhe politike për këta deputetë të Kuvendit të Kosovës, ose të kësaj legjislature, nëse hipotetikisht po them, të njëjtit nuk arrijnë që ta konstituojnë Kuvendin brenda afatit kushtetues”, thotë ai.
Bugaqku ka theksuar se në rast të dështimit të konstituimit brenda afatit, nuk dihet qartë pasoja kushtetuese dhe politike për deputetët.
Ai ka shtuar se, pas konstituimit të Kuvendit, do të nisë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, ndërsa dështimi për ta zgjedhur atë do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Ndërsa nëse kemi konstituim të Kuvendit, ta zëmë, në ditën e fundit, që po e them kështu hipotetikisht, pra me datë 7 gusht, atëherë nga 7 gushti deri më 6 tetor, pothuajse është periudha 60-ditore kur Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë edhe presidentin. Në rast se dështohet në zgjedhjen e presidentit brenda kësaj periudhe, atëherë vendi përfundon në zgjedhje të parakohshme sepse shpërndahet parlamenti, dhe zgjedhjet e tilla mbahen jo më vonë se 45 ditë siç përcaktohet sipas Kushtetutës, pra nga dita e shpërbërjes së Kuvendit”, thotë Bugaqku për Expose, prodhim i GazetaBlic.
Emisioni i plotë:


