Publicisti dhe shkrimtari i njohur nga Shqipëria, Ben Blushi, ka qenë i ftuar i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin.
Ai ka folur në lidhje me librin më të ri që ka nxjerrë në shitje, “Komploti”
Blushi tregon se ngjarjet në këtë liber zhvillohen në vitin 2044 pra 20 vjet më vonë dhe ka një ‘komplot’ mes afganëve dhe shqiptarëve.
“Ngjarjet e librit “Komploti” zhvillohen në 2044, 20 vjet më vonë. Besoj çdo njeri mendon si do të jetë jeta pas 20-30 apo 40 vitesh.Sot ka më shumë arsye se kurrë për të mendu për të nesërmen sepse e tashmja është pak e pasigurtë. Sa herë që e tashmja është e pasigurtë, njerëzit kanë më shumë pasiguri. Shqiptarët në përgjithësi qofshin në Kosovë apo Shqipëri, për arsye të ndryshme apo të përbashkëta, Evropa në përgjithësi është pak e pasigurtë, ka luftë përreth, ka pasiguri të mëdha ekonomike, ka shumë polarizim shoqëror. Evropa po dyndet nga emigracioni që vijnë nga vendet e pazhvilluara, ne po ikim gjithashtu, shqiptarët po largohen nëpër vende më të zhvilluara me ekonomi më të fortë. Kjo krijon shumë pasiguri. Unë jam munduar të projektoj Shqipërinë e 20 viteve më vonë, dhe kështu ka lindur ideja për një “Komplot”. Një ‘Komplot’ i cili zhvillohet në Shqipëri mes një komuniteti afgan dhe shqiptarëve, pra është një luftë për pushtet mes afganëve, të cilët sipas librit do të jenë një pakicë e fortë pas 20 vitesh, ata kërkojnë të marrin pushtet politik dhe kështu lind një ‘Komplot’ një përplasje mes shqiptarëve dhe afganëve, ky është ‘Komploti’ tha Blushi në Blic Interview.
Blushi thotë se Shqipëria ka qenë rreth 4 milon dhe tani është rreth 2 milion e gjysëm.
Ai thotë se me këtë ritëm do të humbim edhe 1 milion të tjerë për 20 vjet.
“Askush prej nesh në vitet 90-ta nuk e mendonte se popullsia për 30 vjet do të binte kaq shumë. Shqipëria ka qenë rreth 4 milion banorë, tani është më pak se 2 milion e gjysëm. Pra 1 milion e gjysëm banorë kanë humbur ose kanë emigruar ose kemi lind më pak dhe janë zhdukur. Nëse ky ritëm vazhdon, do të humbim edhe 1 milion të tjerë për 20 vjet dhe popullsia e Shqipërisë do të jetë 1 milion e gjysëm. Ky trend i rënies demografike nuk është vetëm shqiptar, Shqipëria, e ka më të dukshme se është një popull i vogël por kështu është në Serbi, Bullgari, Slloveni, Kosovë. Pra vendet tona po zvogëlohen. Nëse ne kemi më pak popullsi, siç do kemi, se nuk ka arsye të shtohemi ne, imigrojmë shumë dhe lindim më pak. Shqipëria ka pas lindur 36 mijë bebe në vit, para 15 vitesh, sot ka nën 25 mij. Numri i lindjeve me numrin e vdekjeve, është pothuajse i barabartë, numri i vdekjeve po kapërcen numrin e lindjeve” tha Blushi në Blic Interview.
Ai tutje tha se OKB-ja ka parashikuar që Shqipëria në vitin 2100 do të jetë me 1 milion banorë.
Blushi potencon se nëse populli shqiptar pakësohet atëherë në vendin tonë do të vijnë për të jetuar popuj të vendeve të tjera.
Ai përmend shembullin e kryeministrit anglez i cili është indian dhe thotë se edhe në librin e tij ‘Komploti’, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë së vitit 2044 është afgan.
“Kenia lind 5 mijë bebe në ditë, Shqipëria ka 25 mijë në vit. Kjo do të thotë se popullsia plaket dhe emigron dhe ky është një trend botëror. Pra rënia e popullsisë është e ndjeshme, OKB ka parashiku që Shqipëria në vitin 2100 do të jetë me 1 milion banorë. kjo do të thotë se nëse ne pakësohemi si popull, disa popuj të tjerë do të vijnë të jetojnë këtu. Ata ndoshta nuk do të jenë suedez, gjerman apo rus, mund të jenë afrikan, pakistanez, palestinez, afgan, egjiptian. Popuj që vende më të pazhvilluara, ku ka thatësirë, nuk ka ujë, ka luftë, ka konflikt, ka varfëri dhe ata vijnë në Evropë. Ne duke qenë vende evropiane padyshim që do të kalojmë në këtë proces siç e kanë kaluar Anglia apo Gjermania, Franca dhe Italia. Çfarë është sot kryeministri anglez….. është indian i ardhur para dy brezash në Angli. Edhe unë kam një personazh si ai, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë së vitit 2044 është afgan, këtu fillon ‘Komploti’ shprehet Blushi për librin e tij më të ri ‘Komploti’ në Blic Interview’ raporton “Gazeta Blic”.