• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Beqiri: Ngërçi politik po krijon hapësirë që tregtarët e pandërgjegjshëm, të rrisin çmimet pa ndonjë bazë të justifikueshme

06/14/2025 21:28
nga:G C

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, ka bërë thirrje për vëmendje të shtuar ndaj situatës ekonomike të Kosovës, duke e cilësuar atë si të papërballueshme për qytetarët.

Në një intervistë për Expose, prodhim i GazetaBlic, Beqiri ka theksuar se rritja e çmimeve të produkteve esenciale, përfshirë edhe bukën, po e rëndon gjithnjë e më shumë jetesën e qytetarëve të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës tashmë po përballen me një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve, dhe kjo ka filluar të ndikojë ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve. Pashë që çmimet e bukës kanë pësuar një rritje, që është një tregues i qartë se nuk po flasim vetëm për rritje të çmimeve të produkteve të tjera, por për një krizë të përgjithshme të kostos së jetesës,” ka deklaruar Beqiri.

Sipas Beqirit, kjo situatë është e lidhur ngushtësisht me mungesën e mbikëqyrjes së tregut, e cila ka ardhur si pasojë e ngërçit institucional në Kuvendin e Kosovës.

Ai gjithashtu theksoi se kostot e energjisë elektrike janë një faktor shtesë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve.

“Ngërçi politik dhe vakumi institucional kanë krijuar një hapësirë ku tregtarët e pandërgjegjshëm mund të rrisin çmimet pa ndonjë bazë të justifikueshme. Ky është një fenomen që ka agravuar gjendjen ekonomike dhe që ka bërë që qytetarët të ndiejnë çdo ditë më shumë pasojat,” tha Beqiri.

Një nga pasojat më të dukshme të kësaj gjendjeje, sipas ekspertit, është rënia e mundësisë për blerjen e produkteve bazë, gjë që ka çuar në një rritje të pakënaqësive sociale dhe ekonomike mes qytetarëve.

Ai ka theksuar se për të parandaluar përkeqësimin e situatës, është thelbësore të ketë mbikëqyrje të tregut, duke u siguruar që çmimet të mbeten të arsyeshme dhe se tregu të funksionojë në mënyrë të drejtë.

“Mbikëqyrja është e domosdoshme për të kontrolluar rritjen e çmimeve dhe për të siguruar që tregu të funksionojë në mënyrë të drejtë për të gjithë. Kosova ka një numër të kufizuar inspektorësh të tregut dhe ky është një faktor që po shfrytëzohet nga ata që kanë interesa të caktuara,” përfundoi Beqiri.

Intervista e plotë: