• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Beqiri kërkon ulje të akcizës dhe TVSH-së për të lehtësuar çmimet e derivateve

07/24/2026 21:26
nga:Genita C

Rritja e çmimeve të derivateve po vazhdon të ndikojë në jetën e qytetarëve dhe në kostot e bizneseve në Kosovë.

Ekonomisti Lulzim Beqiri thotë se kjo situatë lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

“Sot kishim çmimin më të lartë se dy ditët e kaluara dhe kjo vjen si rezultat i ndezjes së konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit”, ka deklaruar Beqiri, duke shtuar se ndikimi në Kosovë është i menjëhershëm për shkak të varësisë nga importi.

Sipas tij, Kosova nuk ka rezerva strategjike, nuk prodhon naftë dhe nuk ka dalje në det, çka e bën më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregut.

“Kjo është një lajm jo i mirë për qytetarët e Kosovës dhe për bizneset, sepse te qytetarët po vështirëson jetesën, ndërsa te bizneset po rrit koston”, ka thënë ai.

Beqiri ka kërkuar që institucionet të ndërmarrin masa të përkohshme për të zbutur barrën e rritjes së çmimeve, duke përmendur uljen e akcizës ose të TVSH-së.

“Një ulje e përkohshme e akcizës do të kishte ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Për shembull, nëse ulet për 20 centë akciza ose TVSH-ja nga 18% në 8% për një periudhë të caktuar kohore”, ka propozuar ai.

Sipas Beqirit, shumë vende të Bashkimit Evropian dhe të rajonit kanë ndërhyrë përmes masave fiskale, ndërsa mungesa e veprimeve të ngjashme në Kosovë po e rëndon më tej situatën ekonomike të qytetarëve./GazetaBlic/

Intervista e plotë: