Emisioni “Blic Interview me Astrit Gashin” ka nisur ciklin e ri televiziv këtë të premte.
I ftuari i parë është deputeti i PDK-së, njëherësh ish-këshilltar i ish-presidentit, Thaçi, Artan Behrami.
Behrami foli për atë që ndodhi me 16 shtator në Hagë, aktgjykimin dënues për katër ish-krerët e UÇK-së.
Ai tha se ajo ditë ishte shumë e rëndë për Kosovën dhe se gjykata me vendimin e saj kundër krerëve të UÇK-së u mundu me shkëput krerët e UÇK-së nga populli dhe më pas popullin nga UÇK-ja.
“16 shtatori ka qenë një ditë shumë e rëndë për Kosovën, por edhe për tre pikat që ti në mënyrë shumë përmbajtësore i përmbledhe. Me 16, me verdiktin kundër krerëve të UÇK-së, me dënimin e tyre, trupi gjykues u mundu me shkëput fillimisht krerët e UÇK-së nga populli më pas popullin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës më pas Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga NATO-ja dhe mbi të gjitha me e shkëput edhe nga konteksti i përpjekjeve tona shekullore për pavarësi” tha Behrami.
Behrami tha se në verdiktin që e ka ba trupi gjykues askund nuk figuron gjenocidi serb.
“Në verdiktin që e ka ba trupi gjykues askund në mënyrë përmbajtësore, të thelluar, nuk figuron gjenocidi serb, lufta serbe, agresioni serb, masakrat serbe, dëbimet serbe, dhunimet serbe, sepse një luftë nuk mundet me u gjyku, nuk merret fare me atë pjesë. Sikur ata të shpjegonin këtë kontekst, që këtu ka patur një agresion, ka patur masakra, edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë mbrojtëse….ti nuk mundesh mandej me shqiptu dënim fare sepse lufta mbrojtëse me të drejtën humanitare ndërkombëtare, lejohet. Ata janë mundu me heq këtë kontekstin e luftës me e shkëput këtë pjesë. Patsaj që është po ashtu pjesë e ndërrimit të historisë, është që UÇK-ja në verdiktin e trupit gjykues paraqitet si një ushtri që preukupim të përditshëm e kanë patur vetëm luftimin e oponentëve polik të brendshëm, pra, sipas perceptimit të tyre na s’kemi zhvillu luftë me Serbi hiq, as me forcat serbe, as s’kemi qenë të okupuar. Eshtë një tentim për me ndërru historinë ” deklaroi Behrami në “Blic Interview me Astrit Gashin” raporton “Gazeta Blic”.
VIDEO:


