Granit Begolli, trajneri i mirënjohur në futbollin vendor ëshë i bindur se reagimi i futbollistëve të kombëtares së Kosovës në muajt e fundit është tregim se problemi është shumë i madh.
Kujtojmë se në muajin e fundit, Zhegrova doli me një sqarim për mungesën në grumbullimin e fundit, me ç’rast zbuloi se ka njerëz që vendosin individualisht, jo zyrtarisht.
Begolli në një deklaratë për dokumentarin e GazetaBlic, ‘Expose’, ka theksuar se problemet janë të mëdha dhe se duhet reformë dhe një plan i sinqertë.
“Reagimi i futbollistëve është një gjë që e dëshmon se problemi është shumë i madh. Në këtë pikë, nëse e bëjmë me reagu një futbollist si Zhegrova ose si Rrahmani, është një gjë që reflekton shumë probleme. E kanë shpërfaqë futbollistët gjë që është shumë e keqe, gjë e cila nuk iu takon atyre. Ata kanë nevojë për profesionalizëm dhe rend. Kur kemi dështu me trajner, këta futbollistë nuk e kanë ndjeh veten mirë tek kombëtarja dhe vjen një situatë kur ‘shpërthen’ gjithçka. I ka taku një futbollisti të ri si Edon Zhegrovës, gjë për të cilën nuk kam pasur dëshirë, ndoshta është dashur me shpërfaqë këtë problem ndonjë futbollist me më shumë përvojë. Ne nuk mund të fshihemi vetëm pas trajnerit, duhet të ketë reforma. Trajneri Gliha e dha një deklaratë skandaloze ku tha se ‘jam vetëm punëtor’, aty vendoset gjithçka prej dikujt tjetër. Ai e gjuajti përgjegjësin edhe diku tjetër. Duhet një reformë, po shpresoj që kryetari Ademi ka me reflektu tek kjo pjesë, me bo shumë ndryshime, sepse kombëtarja është një gjë madhore dhe është interes i përbashkët i të gjithëve. Unë po shpresoj që do të ketë ndryshime, do të ketë transparencë dhe do të vijnë njerëz adekuatë. Duhet një plan i sinqertë, që të kemi një sukses të prekshëm në futboll”, tha fillimisht Begolli për ‘Expose’.
Më pas, Begolli tha se nuk pret të ketë ndryshime të menjëhershme.
“Realisht nuk mendoj që do të kemi ndryshime shumë të shpejta, është e pamundshme. Gjatë rrugës kur do t’i shohim ndryshimet se kush do të shkojë dhe kush do të vie, cili trajner do të angazhohet, çfarë tipi i selektorit do të vjen, krejt kjo do të na bëjë të kemi një koment të qartë. Realisht nuk pres që shumë shpejtë të ndryshojë gjithçka, sepse është dashur një kohë e gjatë që të jemi këtu, pra ta prekim fundin. Mos të harrojmë që kjo rënie ka vazhduar prej ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, pra nga atëherë e kemi prekur fundin dhe kemi pasur vetëm rezultate te dobëta. Me interes do të ishte që sa më shpejtë të kemi ndryshime pozitive, por që po besoj se do të jetë shumë e vështirë”, përfundoi Begolli.
/GazetaBlic