• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Bajqinovci: Përparim Rama dështoi totalisht në Prishtinë, qytetarët po paguajnë pasojat

06/06/2025 21:58
nga:Sh R

I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin, ishte deputeti nga LVV, Mefail Bajqinovci, raporton GazetaBlic.

Bajqinovci ka kritikuar qeverisjen katërvjeçare të kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama, duke e cilësuar si një “dështim total” në shumë fusha, sidomos në menaxhimin e trafikut dhe shërbimeve publike.

Ai shton se ka një luftë të brendshme mes PDK dhe LDK në komunën e Prishtinës, ku të gjitha dëmet nga kjo po i paguan qytetari.

“Dështimin 4 vjeçar po tenton përmes dy projekteve të paligjshme të cilat nuk ka kërku leje që ta bëjë shumë të madhe në Prishtinë që jo po më pengojnë. Ka dështu në shërbime, në bllokadë të komunikacionit, nuk e ka pengu asnjë qeveri Përparim Ramën që ta bëjë kaosin në trafik, unë po e them që nuk ka qytetarë të Prishtinës që nuk është i tmerruar me trafikun, nuk ka qytetarë të Prishtinës që nuk është i tmerruar me mbeturinat. Krejt këto, luftën e brendshme të PDK dhe LDK e paguan qytetari”, tha ai.

Bajqinovci theksoi se Rama është zgjedhur në mënyrë “aksidentale” dhe për shkak të bashkëpunimit të partive të tjera politike kundër LVV-së në zgjedhjet e kaluara VV e  humbi Prishtinë me 1000 vota.

“Unë mendoj që ky ka ardh aksidentalisht dhe askush nuk e ka ditë, dhe dihet se si është zgjedhur kur janë bërë të gjitha partitë politike kundër LVV dhe e dini që Arben Vitia ka qenë kandidati kryesor dhe janë bërë të gjitha partitë politike dhe na luftuan. E kemi humbur Prishtinën me 1000 vota duke u bërë të gjithë bashkë kundër neve. Besoj që këtë herë qytetari i Prishtinës më nuk do ta merr parasysh këtë, duke e ditë se cka ka bërë Përparim Rama për 4 vite në kryeqytet përvec bërllogut dhe kaosit në trafik dhe kaos në të gjitha gjërat”, u shpreh ai.

Tutje ai ka potencuar se Lëvizja Vetëvendosje do të paraqesë brenda këtij muaji të gjithë kandidatët për kryetar komunash, duke shprehur besimin se do të fitojnë shumicën e qyteteve të mëdha, përfshirë edhe Prishtinën.

“Kushdo që del nga LVV tash unë besoj që kandidati më i mirë i mundshëm që do ta vendos kryesia dhe kryetari i lëvizjës besoj që Përparim Ramën do ta mund në cdo formë, dhe pa balotazh. Prishtina është e lodhur, nuk ka njeri që është i kënaqur me Përparim Ramën. Besoj që këtë muaj do të dihen të gjithë kandidatët nga LVV. Unë besoj që LVV do të del me kandidat në ato komuna që nuk i kemi fituar e që janë shumë, dhe jam i bindur që do ti kemi shumicën e qyteteve të mëdha, LVV do ti ketë qytetet e fituara”, tha Bajqinovci.

Ndër të tjera ai thotë se Përparim Rama të gjithë fushatën e tij do ta ketë duke u viktimizu.

Bajqinovci kritikon mungesën e veprimeve nga Prokuroria dhe Policia lidhur me aferat korruptive në Komunën e Prishtinës, ku janë dhënë tendera për miq dhe familjarë.

“Krejt fushatën Përparim Rama, unë besoj që do ta ketë duke u viktimizu, duke thënë nuk më lanë, a 4 vite nuk ka bërë asgjë për Prishtinën, tash për dy projekte për të cilat ka shkel ligjin dhe nuk ka pyet Institutin për Trashëgiminë Kulturore, për ato dy projekte do të tentoj të bëjë filma duke thënë nuk më lanë. Kemi pas afera të ndryshme duke qenë publike edhe me dokumente dhe është shumë interesant që Prokuroria apo Polica nuk kanë ndërmarrë asnjë hap që të hetohet dikush apo të arrestohet dikush, kemi pas afera të mëdha ku janë dhënë tendera shokëve, miqëve, familjarëve nga Komuna e Prishtinës”, përfundoi Bajqinovci.