Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për situatën politike në vend, mos konstituimin e kuvendit, koalicionet e mundshme, formimin e qeverisë e kandidimin për kryetar të Prishtinës.
Ai thotë se për mos konstituimin e Kuvendit janë pengesë partitë tjera që s’po e kuptojnë se VV-së si parti e parë i takon e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit.
“Është e vërtetë që e kemi një pengesë por ajo tashmë dihet, është edhe vendimi i Kushtetueses që thotë se partia e parë ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Problemi është se s’po hasim në mirëkuptim që të kalohet faza e parë dhe të kalohet në fazë të dytë, ku VV të merret vesh me atë parti të cilën mendon se mund të ketë koalicion. Kemi hasur në vesh të shurdhër nga opozita dhe s’po ka mirëkuptim që ta votojë Albulena Haxhiun, e cila është gruaja më e votuar në zgjedhje dhe ta kemi kryetare të Kuvendit”, ka thënë ai.
Derisa Kuvendi ka dështuar të konstituohet për 27 herë radhazi, a është qëllimi të thyhet rekordi botëror për seanca të dështuara?
Deputeti Bajqinovci thotë se shkuarja çdo 48 orë është e bezdisshme por që kështu e përcakton rregullorja, ndërsa fajin e ka opozita.
“Unë mendoj që rregullorja e kuvendit e ka bërë të veten, pajtohem që ardhja çdo 48 orë është e bezdisshme për qytetarët por mendoj se fajin e ka opozita”, është shprehur ai.
Deputeti i VV-së nuk e arsyeton vonesën e formimit të institucioneve,
“Absolutisht nuk e arsyetoj vonesën e formimit të institucioneve, është ditur që nga viti 2014 me vendim të Kushtetueses se kujt i takon e drejta për të propozuar, partisë më të madhe në pushtet”.
Ai thotë se partitë ish opozitare s’mund t’ua caktojnë kryetarin derisa ata s’mund t’i votojnë nënkryetarët e tyre sepse nuk i kanë minoritetet.
“Nuk munden partitë partive në Kuvend t’ua caktojnë kryetarët dhe nënkryetarët. Por nënkryetarët s’mund të bëhen pa neve sepse ne e kemi shumicën, edhe minoritetet, vetëm dy janë me opozitën, të tjerët me neve, ne i kemi 8, dhe s’mund të zgjidhen nënkryetarët pa neve”, ka theksuar Bajqinovci për BlicInterview.