• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Bajqinovci flet për ofertën për LDK-në, refuzimin për koalicionin me PDK-në – thotë se në verë bëhet koalicioni për qeveri me Nismën

06/07/2025 16:19
nga:G B

Vetëvendosje i bëri ofertë LDK-së për koalicion por kjo e fundit e refuzoi.

E, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci thotë se LDK s’ka qenë korrekte e as e sinqertë, pasi s’e ka pranuar fare ftesën as për t’u takuar.

“Mendoj që me vet faktin që kemi kërkesa të tilla për takim, mendoj se LDK nuk është treguar e sinqertë dhe korrekte që s’ka pranuar as të takohet. Po flasim për mos takim e lëre më për çështje të ofertës sepse mendoj se z.Kurti do të ishte shumë serioz por LDK s’ka qenë e interesuar”, ka thënë ai për BlicInterview me Astrit Gashin.

Ai ka treguar dhe si do të ndahej pushteti, teksa ka thënë se ka qenë dhe kërkesë e elektoratit të VV-së që të bëjnë koalicion me LDK-në dhe jo me PDK-në.

“Pushteti me LDK-në do të ndahej në bazë të numrave, interesi i VV-së është që të ketë koalicion me LDK-në, është e natyrshme dhe ka qenë edhe kërkesë e elektoratit, sepse ne e kemi një elektorat që na thotë se nuk bën të jemi me PDK-në por me LDK-në, andaj kjo kërkesë ka qenë edhe nga elektorati i LDK-së por që menaxhmenti i LDK-së nuk po pranon”, ka theksuar deputeti.

Megjithatë, ai thotë se personalisht nuk e di se çka i është ofruar LDK-së.

“Personalisht nuk e di se çka i është ofruar LDK-së por e di që do të ishte koalicion i mirë dhe që do të funksiononte e do të zgjidheshin shumë procese të mëdha”, ka potencuar Bajqinovci.

Po ashtu, ai thotë se për disa deklarata LDK nuk është dashur që të refuzojë koalicionin me VV-në.

“Deklarata të ndryshme kemi pasur gjatë fushatës, edhe ata kanë pasur deklarata, ne kemi ofruar koalicion me LDK-në që t’i kemi në qeveri, por ja që nuk i kemi. Nuk besoj që disa deklarata janë matës që LDK-ja të refuzojë. Ne kemi marrë 48 mandate dhe na është dashur ta ftojmë LDK-në për koalicion, kemi pasur nevojë për të, përndryshe, ju e dini se LDK e ka akuzuar rëndë PDK-në për vrasje politike dhe në fund ka hyrë në koalicion me të. Çka ka të keqe të jetë LDK në koalicion me VV-në? Ne e dimë qeverisjen një muaj me ta, LDK na rrëzoi, por unë mendoj se duke ditur se çfarë akuzash ka bërë LDK ndaj PDK-së, dhe kanë qeverisur bashkë 17 vjet”, është shprehur ai tutje.

“Duhet pyetur se pse s’ka pranuar të takohet fare me z.Kurti? LDK nuk ka fare interes të qeverisë me neve, s’ka kërkuar asgjë por ka refuzuar, është dashur të takohet dhe t’i thotë ato gjëra që ka pasur t’i thotë”.

Por, deputeti shprehet kundër një koalicioni me PDK-në.

“Me PDK-në mendoj se s’duhet të kemi koalicion sepse mendoj që kjo parti duhet të jetë në opozitë edhe për disa vjet sepse mendoj se ka qeverisur boll dhe ne kemi kërkesë edhe nga elektorati që të mos kemi koalicion me PDK-në. Nuk është e pamundur por është vendim dhe nuk mendoj se do të ketë koalicion me PDK-në, e kemi analizuar edhe elektoratin edhe gjithçka”, ka potencuar ai.

Bajqinovci nuk tregon pse nuk kanë pasur ofertë për AAK-në e Ramush Haradinajt, teksa flet për diskutimet me Nismën.

“Ne i jemi drejtuar LDK-së, pastaj ka pasur dhe takime me Nismën, me z.Limaj dhe unë besoj se do të ishte mirë që të tejkalohet çështja e kryetarit të Kuvendit dhe pastaj të diskutohet për qeverisje me z.Limaj. Limajt nuk ia japim postin e kryetarit të Kuvendit sepse ne jemi partia e parë dhe na takon kryetari i Kuvendit, mendoj se do të ketë reflektim për ta votuar Albulena Haxhiun”, ka deklaruar ai.

Bajqinovci thotë se beson se “verës do të kemi koalicion, do të votohet Albulena Haxhiu”./Gazeta Blic/