Sipas Ridvan Tahirit, ata që ofendojnë Ramush Haradinajn, Dautin, Nasimin, Fatmir Limajn, Hashim Thaçin, Kadri Veselin nuk kanë gjak shqiptari. Ai thotë se ata mund të fyhen duke mos i votuar në zgjedhje, por jo të quhen tradhtarë e kriminelë. Ndonëse thotë se nuk pajtohet me politikat e Kurtit dhe nuk e voton partinë e tij, kurrë nuk do ta ofendonte atë. Të gjitha përçarjet mes popullit thotë se po e detyrojnë që ta mendojë largimin nga Kosova.
“Ta fyesh Ramush Haradinajn, Dautin, Nasimin, Fatmir Limajn, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, për besë unë ju them se nuk janë gjak shqiptari. Mund t’i fyesh politikisht, t’i thuash i paditur, hajn, siç e kanë zakon shqiptarët që të thonë hajn pa e ditur se çka ka vjedhur, por t’i quash tradhtarë, kriminelë për Zotin është e patolerueshme, më vjen marre kur lexoj komente të tilla. Edhe po të kem jetë 700 vjet, kurrë nuk e shaj e ofendoj Albin Kurtin, edhe pse nuk e votoj partinë e tij, kurrë nuk e shaj, nuk mund ta shaj politikisht vetëm pse nuk jemi të njëjtit mendim, sharje e fyerje mund t’u bësh nëse nuk ua jep votën. Edhe Ramushin, Hashimin, Kadrinë, Fatmirin, nëse don t’i fyesh nuk ua jep votën. Është shumë e turpshme, e them për të gjithë militantët e partive. Kanë rënë këto dhe unë kam thënë se Kosovën nuk e lëshoj për asnjë çmim të jetës, por këto fyerje e sharje muajve të fundit do të më detyrojnë ta lëshoj Kosovën, një vend që e kam dashur e kam jetuar edhe pa bukë e pa ujë, edhe pas luftës, por s’e kam lëshuar Kosovën edhe pse kam pasur oferta në gjithë botën për të punuar, ju kam thënë të gjithëve se dua t’i shërbej vendit dhe popullit tim. Por tash ma kanë sjellë shpirtin në fyt këto përçarje që po i shoh”, ka potencuar ai për dokumentarin Expose.
Ofendimet e sharjet thotë se sot bëhen për të marrë vota më shumë, derisa vlerëson se nëse vazhdohet kështu, shqiptarët do të përballen me trazira.
“Sot për t’u zgjedhur deputet ose për të marrë shumë vota duhet të shash e fyesh. I kam parë deklaratat skandaloze, edhe çlirimtar edhe zullumqar, atëherë çfarë zullumi të kam bërë unë sepse ti i ke quajtur të gjithë zullumqarë, kujt i kam bërë zullum unë. Në rast se tentoni të fitoni vota duke i sharë e ofenduar të tjerë, vazhdoni, por fundin besoj se fundi do të vie në Kosovë me trazira dhe vëllavrasje. Ishalla nuk ndodh, nuk kam qejf me i pa shqiptarët ashtu duke u vrarë mes vete por qysh po i shoh deklaratat skandaloze mes politikanëve, për Zotin janë duke bërë thirrje për vëllavrasje, por do të pësojnë ata”, ka deklaruar Ridvan Tahiri./Gazeta Blic/


