Antropologia amerikane, Janet Reineck, e cila po jeton për një periudhë të gjatë në Kosovë, ka ndarë impresionet e saj për bukurinë dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një thesar të pazbuluar.
Ajo për “Expose”, prodhim i GazetaBlic tregon për vështirësitë e fillimit, kur i ishte e vështirë të shqiptojë gjuhën letrare, por në fund ka zbuluar bukurinë e gjuhës së fshatrave.
“Gjuha shqipe është shumë origjinale dhe shumë interesante dhe mua më pëlqen shumë. Kjo është një ndër arsyet edhe pse kam ardhur në Kosovë për herë të parë. Kur kam ardhur në 1981, këtu në Kosovë kam jetuar me disa familje që kishin ardhur nga fshatra të ndryshme, Anamorava, Gollak e shumë të tjera”
“Kam filluar ta lexoj gazetën ‘Rilindja’, aty ka pasur shumë gramatikë dhe për mua ka qenë e vështirë t’i shqiptoj të dyja, ‘letraren dhe katunarçen’ dhe kam përfunduar në anën e katunarçes”, tha ajo.
Reineck është magjepsur gjithashtu nga kultura e Ballkanit Perëndimor, dhe Kosova ka qenë vendi që e ka tërhequr më shumë, duke e bërë që të ndjehet si në shtëpi.
Ajo ka shprehur se ndonëse i ka munguar Amerika, Kosova ka mbetur një mister i bukur që e ka tërhequr gjithmonë.
Për të, Kosova është një vend me një mikpritje të jashtëzakonshme, kulturë të pasur dhe një lidhje të veçantë me muzikën dhe jetën e përditshme.
“Më ka habitur fakti që në fillim kur jam ardhë në Kosovë, njerëzit këtu janë ulur në shilte, në odë me sofër e caj, por edhe muzika e vallja, sepse unë kam qenë valltare dhe ende mendoj se ka njëfar lezeti të jetosh këtu, një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet lehtë. Jetesa në Kosovë, ka ndikuar shumë në formësimin e personalitetit tim. Kur shkova në Amerikë, m’u duk më ndryshe, sepse jetesa në Kosovë ma ndryshoi mendimin tim për botën. Unë që 30 vite jam duke punuar me ndihma amerikane, kam hyrë thellë në traditën shqiptare dhe u largova nga ajo amerikanja”, tha Reincek për “Expose”.


