• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Alternativë e vetme për të hartuar një program qeverisës për zhvillim ekonomik është LDK, shprehet Muhaxheri

03/11/2023 21:31
nga:Astrit Gashi

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ftuar në BlicInterview me Astrit Gashin, foli edhe për rolin e LDK-së në opozitë, duke theksuar se kjo parti është duke punuar për programin e ardhshëm qeverisës, duke shtuar se është kjo hera e dytë që LDK po punon për hartimin e një programi serioz qeverisës.

“Këta kanë ardhur në Qeveri që dy vjet, nuk kanë pasur program Qeverisës. Nuk kanë arritur të bëjnë asnjë hap për zhvillimin e vendit. Krej janë improvizime. Janë 29 Komisione që janë duke punuar për programin Qeverisës, që në zgjedhjet e ardhshme me ja servu qytetarëve të Republikës së Kosovës një alternativë qeverisëse”, tha ai.

Muhaxheri tha se përkundër fitores bindëse të pushtetit aktual në zgjedhjet e kaluara, populli tashmë është ngopur me çështje fiktive.

“Alternativë e vetme për të bërë një program qeverisës për zhvillim ekonomik është LDK. Jemi një vend ku mendimet dhe opinionet ndërrojnë shumë shpejt. Qeveria duhet me pas një program qeverisës, i cili tregon prej ditës së parë cka ke me bë. Kjo Qeveri po sillet në rreth”, tha Muhaxheri.

I pyetur se duke pasur parasysh se LDK tani po kundërshton Asociacionin dhe se a ka përgjigje kjo parti se pse Isa Mustafa e bëri edhe statusin e këtij Asociacioni, Muhaxheri tha se në marrëveshjen e nënshkruar nga Mustafa në Bruksel është paraparë se duhet të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Vuçiqi e ka pranuar.

“Gjykata Kushtetuese pasaj i ka dhënë vërejtjet, e cila thotë se në disa pika duhet me pas kujdes, se mund të ketë tejkalim të kompetencave dhe për këtë arsye statuti i Asociacionit duhet me u shkru nga ekspertët e lamisë. Ne nuk jemi si ata me u hakmmarrë, po dicka duhet të bëjmë edhe ne, duhet me e nguc pak ariun, opozita e ka për detyre mos me ja lënë krejt fushë me lula kryeministrit”, tha Muhaxheri.

Sa i përket procesit zgjedhor brenda LDK-s, Muhaxheri tha se kjo parti faktikisht tani është në proces zgjedhor.

“Ne i kemi 11 degë që i kemi dërguar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Procesi është kah fundi. Besojmë që muajt në vijim do të shpallen edhe zgjedhjet në degët tjera dhe shpresojmë që para korrikut të kemi Kuvendin e ri të LDK-së”, tha Muhaxheri.

Duke folur për akuzat e disa ish-zyrtarëve të LDK-së, se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është degë e VV-së, Muhaxheri tha se humbësit zakonisht kanë të drejtën me u anku dhe me u marrë me thashethëme.

“Eshtë e drejtë e tyre me u anku. Procesi zgjedhor ka me fillu, njerëzit kycen në proces zgjedhor dhe japin idetë e tyre. LDK është dëshmuar si parti që ka transparancë dhe garë brenda saj. Të shohim çka do të prodhojnë zgjedhjet e ardhshme”, tha Muhaxheri.