• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Alarmi” i një “eksodi” të ri- Kërkohet veprim urgjent nga Qeveria e Kuvendi

01/21/2024 22:48
nga:Gazeta Blic

Lavdim Hamidi, gazetar shumë vjecar po vlerëson për emisionin “Expose” se në pranverë do të vërehet mungesa e punëtorëve.

Ai thotë se kompanitë tashmë kanë filluar të marrin fuqi punëtore nga Bangladeshi dhe nga vendet tjera.

“Gjatë pranverës dhe verës do të vërehet seriozisht mungesa e fuqisë punëtore. Shumë kompani janë orientuar në tregjet e huaja, po shikojnë mundësinë që të sjellin punëtor nga Bangladeshi apo nga Turqia, në mënyrë që ta zëvendësojnë fuqinë punëtore. Probelm tjetër do të jetë edhe rënia e konsumit dhe nëse largohen 300 mijë persona nga Kosova, shumë biznese edhe do të mbyllen”, tha ai.

E, analisti politik, Dritëro Arifi po thotë se goditja më e madhe për Qeverinë e Kosovës, do të jetë liberalizimi i vizave.

Sipas tij, qeveria Kurti duhet të jetë shumë e kujdesshme me qasjen ndaj qytetarëve, sidomos tash pas liberalizimit të vizave.

“Qeveria Kurti duhet të ketë kujdes se çka po thotë sepse VV’ja ka qenë pengesa më e madhe pse deri më tash janë vonuar vizat. Pse vizat janë larguar kanë qenë vendim politik i BE-së. Nuk është me rëndësi çka thotë Qeveria, fituesi më i madhë është qytetari i Kosovës i cili do ta sheh edhe vetë se çfarë trajtimi i bën Qeveria e Kosovës jetës e të ardhmës së tij. Pra, liberalizimi i vizave do të jetë goditja më e madhe për Qeverinë e Kosovës”, thotë ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic.

Liberalizimi i vizave derisa është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën, sepse kosovarët ishin të fundit në kontinentin evropian që ishin të izoluar deri më 1 janar të këtij viti, në anën tjetër, po paralajmërohet për ikje të madhe të fuqisë punëtore.

Deri në 150 mijë mund të jetë numri i të rinjve- që konsiderohen si fuqi punëtore, që do ta lëshojnë Kosovën. Pos largimeve masive që pritet të ndodhin nga sektori privat, po paralajmërohet ikje edhe në sektorin publik.

Vetëm në gjysmen e parë të këtij muaji, hiq më pak se 43 punëtor të sektorit të shëndetësisë kanë paralajmëruar ikjen nga Kosova. Më shumë se 300 mësues kanë marrë pushim pa pagesë, për t’i shikuar mundësitë për të punuar në ndonjë vend të BE-së.

As policët nuk po i “shpëtojnë” ikjes. Përgjatë vitit 2023, më shumë se 100 policë e lëshuan këtë institucion.

Lista është e gjatë…

Dhe emëruësi i përbashkët i të gjithë atyre që po e lëshojnë vendin, është se: në Kosovë nuk po shohin perspektivë, paga minimale vazhdon të jetë më e ulëta në rajon, shumë sektorëve u janë ulur pagat me ligjin e ri, shëndetësia vazhdon të jetë pika më e dobët e sistemit tonë politik e shoqëror…

Qeveria, Kuvendi dhe të gjitha institucionet vendimmarrëse para vetes e kanë një situatë alarmante.

Nëse nuk do të ndërmarrin politika që nxisin rininë që ta gjejnë veten e tyre në Kosovë, dhe ta shohin të ardhmen këtu, atëherë paralajmërohet që shifrat e atyre që e lëshojnë edhe më tutje vendin do të jenë tepër të larta.

Kosova, rrezikon të mbetet një “vend turistik” për dy muaj verë- atëherë kur kthehen mërgimtarët.