Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, duke folur për shkarkimet që bëri në Komunë, tha se ai i merr vendimet vet dhe s’merr urdhra nga askush, duke hedhur poshtë mundësinë që të ketë marrë direktiva nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Jo, jo, absolutisht. Unë e kam cekur prej fillimit që vendimmarrja në kryeqytet është e imja. Ne kemi takime të shumta, diskutime të ndryshme, mirëpo vendimmarrja është e imja dhe nuk kam një kërkesë të tillë prej askujt dhe po them kjo çështje nuk ka qenë politike, ka qenë si pjesë e ristrukturimit dhe shqyrtimit të performancës së drejtorëve të ndryshëm në departamente të ndryshme dhe si rezultat po them ne e kemi një gjendje emergjente në sektorin e pastrimit të kryeqytetit që ndërlidhet dhe me qentë endacakë, për të cilin problem i kam dhënë afat deri në fund të vitit drejtorit të emergjencave që ta përmirësojë dukshëm këtë problem dhe dua ta përmend këtu që problemi i qenve endacakë është problem i krejt Kosovës”, thotë ai.
Rama kritikon qeverinë që nuk ndan mjete për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë që 2 vite.
“Qeveria p.sh përkundër faktit që i ka aprovuar 9.8 milionë për t’u marrë me këtë çështje, ka buxhetuar zero, që dy vite nuk buxheton asgjë, që dy vite zero ndihmë prej nivelit qendror. Nëse do t’i kishim vrarë qentë do të kishim qenë okej por nuk është ajo zgjidhje, andaj kemi kërkuar që të ndryshohet ligji në trajtimin e kafshëve, në trajtimin e qenve endacakë dhe për këtë kemi ofruar nga 50 euro për adaptim. Është duke u përmirësuar gjendja. Por nuk është problemi Prishtina, sepse Policia ka zënë njerëz me kombi duke i lëshuar këlysh e qen këtu nga vendet tjera. Kjo është arsye dhe pse unë kam marrë vendim, të prerë të shkurtër, sepse i kam dhënë boll dy vjet për ta përmirësuar gjendjen, gjendja nuk është përmirësuar”, shprehet kryetari.
I pari i Prishtinës flet dhe për mënyrën e shkarkimit përmes postimit në Facebook, teksa thotë se ata i ka lavdëruar për punët e mira që i kanë bërë, teksa shton se një ditë përpara shkarkimit të Musliut i kishte pyetur se a duan të largohen nga koalicioni, pasi kishte pasur informata për këtë.
“Unë kam pasur një ditë më përpara…Unë vazhdoj me e lëvdu për gjëra të mira edhe s’ia hupi kurrë, por gjërat kyç që s’janë përmirësuar, si mbeturinat, nuk mund ta lëvdoj, sepse nuk janë kryer dhe janë problem i madh për kryeqytetin dhe për këtë arsye është dashur ta marr këtë vendim. Një ditë më përpara i kam thënë a keni vendos me dalë a, se më erdhën informata se po duan të dalin kinse pa më treguar mua. Unë ia parapriva për mbeturinat dhe digjitalizimit, nuk ka pasur asnjë problem me drejtorët tjerë dhe nuk i kam shkarkuar”, vlerëson Rama.
Ai shton se ata kanë mundur të rrinë dhe të flasin e të sqarohen.
“Pse mos me nejt? Me ardh me diskutu dhe me pyet se ku është problemi dhe po i zgjidhim”.
Ndërsa, lidhur me pyetjen se largimi nga koalicioni a ka qenë nga PDK e Prishtinës apo PDK qendrore, ai thotë se është çështje e tyre, por që faktet tregojnë sabotazhin që ka bërë PDK në komunë.
“Kjo është çështje e tyre, këtë mund ta diskutosh me ta. Informatat janë të ndryshme sepse këtu flitet gjithçka, por unë s’merrem me opinione të ndryshme, opinionet janë opinione, faktet janë fakte, faktet janë që ka pasur sabotazh në digjitalizim, faktet janë që problemi i mbeturinave nuk është zgjedhur dhe është përkeqësuar. Këto janë dy faktet”, thekson kryetari Përparim Rama./Gazeta Blic/