Avokati kosovar, Leutrim Syla, në një intervistë në “Blic Interview” me Astrit Gashin, ka kritikuar veprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, duke vënë në pikëpyetje masat e ndërmarra për mbrojtjen e saj dhe mundësinë që ajo të qëndronte e sigurt me djalin e saj.
Syla e ka cilësuar ngjarjen si tejet të dhimbshme, por ka theksuar se problemi është më i thellë dhe lidhet me mënyrën se si institucionet reagojnë në rastet kur një person kërkon mbrojtje.
“Ngjarja e Arlinda Zekajt është e dhimbshme deri në asht, ashtu siç ka deklaruar edhe vetë ajo. Problemi është më sistematik. Duhet të jesh shumë i zëshëm, paralajmërues, madje edhe kërcënues në zbatimin e ligjit. Konsideroj që edhe Prokuroria edhe Gjykata nuk kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që Arlinda të jetë e vetmuar me djalin e saj”, ka deklaruar Syla.
Ai ka theksuar se institucionet është dashur të siguroheshin që Arlinda të takohej me fëmijën e saj, pra kur ishte dërguar në shtëpi.
“Madje është shqetësuese që, edhe nëse e kanë dërguar në shtëpi, është dashur t’ia mundësojnë takimin me fëmijën. Pra, fëmija që iu ka besuar Arlindës, nuk është ekzekutuar çështja e besimit të tij tek Arlinda. Pra, ne nuk e dimë nëse Arlinda ka ndërruar jetë pa e përqafuar edhe njëherë djalin e saj”, ka thënë ai.
Më tej, avokati ka kritikuar mënyrën se si janë trajtuar rrethanat në të cilat Arlinda është kthyer në shtëpi, duke theksuar se është dashur të largoheshin personat e tjerë dhe të sigurohej që ajo të qëndronte vetëm me djalin e saj.
“Konsideroj që secili jo anëtar i asaj shtëpie duhet të largohej nga ajo shtëpi dhe të lihej vetëm Arlinda me djalin e saj. Nga praktika e them që disa persona duket që janë të paprekshëm edhe nga Policia. Pra, dërgohet viktima dhe lihet, sikur të themi, ‘ujku dhe dhia’ në një vend. Kjo bëhet në kundërshtim me çdo praktikë. Konsideroj që duhej të largohej secili dhe që të siguroheshin që Arlinda u takua me djalin e saj”, ka shtuar avokati Leutrim Syla.
/GazetaBlic/


