• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Haziri: Mungesa e disa deputetëve të LDK-së në seancën për presidenten ishte çështje teknike, jo politike

10/09/2026 22:05
nga:L J

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka komentuar në “Blic Interview me Astrit Gashin” mungesën e disa deputetëve të LDK-së në seancën për zgjedhjen e presidentes, duke e cilësuar situatën më shumë si një çështje teknike sesa politike.

Haziri tha se rreth 10 deputetë të LDK-së kanë qenë të pranishëm në momentin e votimit, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë arritur të kthehen në kohë për shkak të mënyrës se si u zhvilluan negociatat në minutat e fundit.

“Ka qenë çështje krejt praktike. Ne kemi qenë në zyrë si grup parlamentar, në organizim, në proces dhe pritje. Mënyra se si u menaxhua procesi në ditën e fundit dhe në minutat e fundit, me negociata nga distanca, jo me takime dhe angazhime konkrete në mes të VV-së me Kurtin dhe PDK-së me Hamzën, kjo bëri që në momentet e fundit LDK-ja si grup parlamentar ta shohë, sikur krejt populli, se do të jetë e vështirë dhe e papritur gjetja e një kompromisi”, tha Haziri, raporton Gazeta Blic.

Ai shtoi se situata ndryshoi në minutat e fundit, kur një pjesë e deputetëve të LDK-së ishin tashmë të shpërndarë, duke e mohuar që mungesa e disa deputetëve të ketë qenë e motivuar politikisht.

“Fatmirësisht, në minutat e fundit ndodhi krejt ndryshe. Grupi parlamentar i LDK-së ka marrë pjesë me ata deputetë që kanë qenë në moment, në orën 10 e gjysmë të natës, pjesa tjetër janë shpërndarë. Distanca prej Prishtinës me qytete e bën tjetër dhe njerëzit fizikisht nuk kanë mundur të mbërrijnë”, u shpreh Haziri.