Gazetari shqiptar i sportit, Faton Zylbehari, i ftuari i kësaj jave në “Blic Interview” me Astrit Gashin, ka ndarë vlerësimin e tij për ecurinë e përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se dëshira e tij është që të dyja kombëtaret të jenë vazhdimisht pjesë e turneve madhore.
“Unë dua që Kosova e Shqipëria gjithmonë të kualifikohen, mos të themi 90 minuta larg, ishim pak minuta pranë ëndrrës në Botëror. Më vjen keq që Kosova nuk arriti, atë rast që e ka lëshuar, duhet ta kthejë në përvojë dhe mësim, që ta shfrytëzojë në të ardhmen“, u shpreh Zylbehari.
Ai u ndal veçanërisht te zhvillimi i Kosovës, duke vlerësuar se përfaqësuesja ka hyrë në një fazë më të pjekur dhe se puna e bërë gjatë viteve të fundit po jep rezultat.
“Unë e shoh Kosovën në Euro 2028, u ndërtu diçka serioze. Mendoj që në momente të caktuara kemi nxituar, me kërkesat e shumta, sepse shteti është i ri. U bë një presion artificial, por duke e kuptuar që veç puna të dërgon përpara dhe duke e mbështetur nga të gjithë, andaj sot Kosova ka ndërtu diçka serioze“, deklaroi ai.
Sipas Zylbehari, një nga treguesit më të mirë të progresit të Kosovës është cilësia e futbollistëve dhe niveli ku ata aktivizohen.
“Lojtarët janë pjesë e rëndësishme e disa klubeve evropiane. Kosova ka ardhur në një moment që lojtarët si Rashica e Zhegrova nuk janë brenda skuadrës, por janë të lumtur. Është formuar ekipi, tani duhet mbështetja”, theksoi gazetari sportiv.
Intervistën e plotë me Faton Zylbeharin mund ta ndiqni në “Blic Interview” me Astrit Gashin.
/GazetaBlic Sport/


