• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës: Dënimet për kryesit janë të ulëta – shëndetësia, prioriteti që na duhet ndihmë nga shteti

07/11/2026 16:10
nga:G B

Shteti duhet të bëjë më shumë për të e të mbijetuarit e tjerë të dhunës seksuale gjatë luftës. Sipas Nishorit, prioriteti kryesor është shëndetësia.

“Është bërë por ka ende vend që të bëhet edhe më shumë sepse s’mund të them që s’është bërë asgjë. E gëzojmë një pension sepse benefite tjera s’kemi. Nevoja më e madhe për të mbijetuarit është mjeku, shpresojmë që të përfundojë ligji për sigurime shëndetësore sepse më së shumti kemi nevojë për mjekësi”, ka thënë ai.

“Do të duhej të bënte edhe shumë të tjera por kryesorja është kjo, prioriteti më i madh sepse çdo i mbijetuar kur të shkojmë te mjeku askush nuk është në gjendje të tregojë çka është, duhet pagesa, me punu nuk mundet, një pension solid sa e marrim nuk i mbulon shpenzimet e mjekut, unë i kam 80 euro në muaj, edhe pse kam dalë e kam hequr barrën por prapë shkoj te psikologia. Për këtë e kam bërë më shumë. Ju bëj thirrje të gjithë të mbijetuarve dhe mbijetuarave, ejani në organizata, çdo gjë që flitet aty mbetet aty, je shumë i mbrojtur dhe e shpëton veten. Unë e kam shpëtuar veten sepse kam pasur shumë raste që kam dashur ta mbys veten por ja ku jam sot”, është shprehur Nishori për Expose.

Me shpresën që një ditë t’i bëhet padi shtetit serb për këto krime, ai u bën thirrje të gjithë të mbijetuarve që të mos heshtin.

“Desha t’u bëj thirrje gjithë të mbijetuarve që të shkojnë në organizatë por edhe në polici për të dhënë deklarata për atë që u ka ndodhur, kemi bashkëpunim tejet të mirë me policinë, ata vijnë kudo që të mbijetuarit ndihen më rehat për të dhënë deklaratën dhe ndoshta një ditë ne i bëjmë padi atij shteti për krimet që i ka bërë”, ka shtuar ai.

Pavarësisht se për dënime të personave që kanë kryer krime të tilla në luftën e fundit në Kosovë ka pasur disa aktgjykime, Ramadan Nishori vlerëson se dënimet janë të ulëta. Ai mbetet me shpresën që kryesit të marrin dënimin e merituar.

“Po punohet shumë në këtë drejtim, janë 3-4 aktgjykime që kanë përfunduar, janë kriminelë që e kanë vuajtur dënimin, i kemi dy dënime në mungesë. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me prokurorinë e shtetit. Presim dënime më të ashpra, mua më duket që shumë pak po dënohen. Është mjaft dhe që kanë filluar por më duket që dënimet janë të ulëta”, ka deklaruar Nishori,

Ramadan Nishori përveç që ka prekur çdokënd me historinë e tij, ai është një shembull inspirimi për të gjithë ata që kanë kaluar nëpër të njëjtën gjë dhe model i forcës e vullnetit se kur kërkohet ndihmë, gjendja mund të ndryshojë për mirë./Gazeta Blic/