Ramadan Nishori po ashtu, ai është dhe i mbijetuar i masakrës së Dubravës, e cila thotë se ka qenë një Holokaust i vërtetë. Teksa rrëfen për atë ditë, thotë se sot thotë se nuk e kupton se si kanë shpëtuar.
“Ajo masakër ka qenë një tmerr i vërtetë…më shumë tash ta bën kur një i tillë si ai që e bëri ekspozitën në shesh (Shkëlzen Gashi), tha se të burgosurit në Dubravë kanë qenë të armatosur, ku kemi qenë ne të armatosur, në burg, ku ka në botë diçka të tillë? Por te ne i jepet e drejta çdokujt që të flasë çdo gjë, nuk pendohet për atë që e ka bërë. Aty ka qenë një Holokaust i vërtetë. Më 21 e kanë bombarduar ditën burgun NATO, ne ikëm për në fushën e sportit dhe na binin copat e betonit në kokë, atë natë kemi fjetur aty në atë fushë të sportit dhe të nesërmen na kanë thirrur në megafon na kanë thënë që të rreshtohemi sepse do të numëronin dhe do të na largonin nga aty për shkak se nuk kishte më siguri. Aty kemi filluar të rreshtohemi dhe aty kanë filluar të gjuajnë me kallashnikov, me bomba dore, edhe me zollë, aty nuk di të tregoj se si kemi shpëtuar. Fati jonë ka qenë që te fusha e sportit ka qenë një lloj lugu 4-5 shkallë dhe ajo na ka mbrojt dhe aty si kemi mundur jemi futur në pavijone, në bodrum të kuzhinës, shumë janë futur nëpër shakta, që kanë qenë shumë të mëdhenj dhe ka ndodhur që vetëm ua hapnin kapakun dhe ua hidhnin bombat e dorës brenda. Kur t’i kthehem kësaj teme, më nxjerr krejt nga realiteti, se mua mu bënë të dyja bashkë. Unë për vete se kisha problem sepse ne ishim të vdekur thuaja”, ka thënë ai.
Atë ditë thotë se vdekja për ta do të ishte paqe, për shkak të torturave çnjerëzore që kishin përjetuar në burg.
“Për ne aty ka qenë vdekja paqe, që të mos vuanim më shumë, sepse që nga koha kur kemi rënë në burg e tutje, derisa jemi liruar, ne kemi pasur shumë pak ushqim, edhe ata pak ka qenë shumë i dobët, maltretimet kanë qenë më çnjerëzore të mundshme, si fizike po ashtu edhe psikike”, ka rrëfyer Nishori.
Pas shpëtimit në masakrën e Dubarës, i kishin zhvendosur në burgun e Lipjanit e më pas në burgun e Nishit në Serbi.
“Nga burgu i Dubravës na patën transferuar në burgun e Lipjanit, ndër nga aty më 10 qershor 1999 në Serbisë në burgun e Nishit. Pastaj pas 1-2 muaj ka ardhur nga ka vizituar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe aty ua kemi dërguar nga një letër atyre që t’ua dërgojnë familjeve tona”, ka treguar ai./Gazeta Blic/


