• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Tani jam krejt tjetër njeri, kam hequr nga vetja një barrë të rëndë”/ Rrëfimi i Ramadan Nishorit: Pas daljes time publike, 13 persona janë lajmëruar në organizatë

07/10/2026 21:26
nga:G B

Ishte vetëm 22 vjeçar kur përjetoi një nga ngjarjet më të tmerrshme, që do ta shoqëronte gjithë jetën, e që do t’i shkaktonte ankth e trauma, deri në shkallën sa të mendonte t’ia merrte vetes jetën. Ramadan Nishori nga Komorani i Drenasit, është i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i cili në prill të vitit të kaluar u bë burri i parë që rrëfeu publikisht historinë e tij. 1 vit pas, ai thotë se është krejt tjetër njeri, që është çliruar nga një barrë tejet e rëndë, e cila e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Ai në një rrëfim për dokumentarin Expose, tregon se misioni i tij është përmbushur, derisa pasi tregoi publikisht historinë e tij, shumë të mbijetuar të tjerë u drejtuan për në organizatën për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Ndonëse komentet negative kanë qenë të pakta, ai shprehet mirënjohës për qytetarët që e kanë përkrahur, natyrisht pas familjes, e cila i qëndron pranë çdoherë.

Bashkëshortes i kishte treguar vetëm 1 vit para se të vendoste të dilte publikisht për ta ndarë rrëfimin e tij, ndërsa që në organizatë ishte lajmëruar në vitin 2015, pas qindra herësh që kishte shkuar deri te dera dhe nuk kishte pasur kurajën të futej. Mendime të llojllojshme e bënin të kthehej pas dhe ai vazhdonte luftën me veten e traumat e tij në heshtje.

Por, rrëfimi publik i Vasfije Krasniqit kishte bërë që ai të inspirohej nga jo dhe pas kontaktit me të, të bindej që të shkonte në organizatë, ku është dhe sot e ku merr ndihmë psikologjike, e që u bën thirrje të gjithë të mbijetuarve që të veprojnë njësoj si ai.

Ndonëse thotë se është bërë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, Nishori vlerëson se ka ende punë për t’u bërë. Po ashtu, edhe dënimet për kryesit e këtyre veprave thotë se janë të ulëta.

“Që 1 vit e këndej unë jam një njeri që e kam hequr një barrë shumë të madhe nga vetja, ndihem si njeri shumë i çliruar, një njeri që vetëm ata që e kanë përjetuar këtë dhunë e dinë, e kam hequr një barrë shumë shumë shumë të madhe nga vetja dhe e falënderoj popullin tonë, edhe pse ka pasur edhe negative komente, por jo, sikur kur ka dalë Vasfija në atë kohë ka pasur komente më shumë negative, tash kanë nisur të vetëdijesohen njerëzit, ka pasur shumë pak komente negative tani për mua, shumica kanë qenë pozitive. Edhe para se të dilja, edhe kur kam dalë publikisht, kam thënë se vetëm 1 i mbijetuar të vijë në organizatë të kërkojë ndihmë psikologjike, unë e kam kryer misionin tim. Por, ka pasur bukur shumë, edhe prej burrave, edhe grave, kështu që falënderim shkon fillimisht për familjen por edhe për të gjithë njerëzit që më kanë dhënë përkrahje. Tani jam një njeri krejt tjetër”, ka thënë ai.

Daljen publike me historinë e tij disa e kishin lidhur me faktin për të marrë një pension, por atë thotë se e gëzon që nga viti 2019.

“Ka pas 4-5 komente negative, duke iu falënderuar policisë së Kosovës, njësia për krime të luftës, menjëherë çdo koment negativ që është bërë janë arrestuar njerëz, kemi bashkëpunim të mirë me policinë. Ka pasur të tillë që kanë thënë se kam dalë vetëm sa për një pension, por unë pensionin e gëzoj që nga 2019-ta, dhe sa për pension s’do të dilja publikisht por jam ndalur kam menduar se në çka kam kaluar, duke e ditur se shumë të tjerë janë duke e kaluar të njëjtën periudhë, për ata më shumë kam dalë dhe kam folur. Tani ka shumë që në rrugë më ndalin, hajde të pimë nga një kafe, përshëndetje ka”, është shprehur.

Nishori ka treguar se që pas rrëfimit të tij publik, rreth 13 persona janë lajmëruar në organizatë.

“Po kontakte kam shumë më kontaktojnë, 12-13 janë diku që prej që kam dalë unë, që janë lajmëruar në organizata për të kërkuar ndihmë psikologjike, në 4 organizata që janë. Jam shumë krenar për këtë”, ka rrëfyer Nishori./Gazeta Blic/