I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është nënkryetari i PDK-së njëherësh kandidat për deputet nga ky subjekt politik me numër 2 në zgjedhjet e 7 qershorit, Uran Ismaili.
Ismaili foli për dallimin ndërmjet garës në nivel lokal dhe asaj në nivel qëndror.
Ai potencoi se gara lokale ka qenë më konkrete ndërsa në garën nacionale, sipas tij, kandidati i LVV-së për kryeministër vazhdon me gjuhë ofenduese dhe përçarëse.
Ismaili tha se fjalia kryesore në këto zgjedhje e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për kryeministër të tyre, Albin Kurti, është…”Do t’a bëjmë”.
“Gara lokale ka qenë më konkrete sepse kemi patur mundësi krejt kandidatët me u ba më konkret, ndërsa gara nacionale…. ne shkojmë me programe konkrete po kandidati i Vetëvendosjes dominon me një tregim të tij ofendues dhe përçarës dhe aty po është dallimi. Kandidati i Vetëvendosjes, premtimin që e ka është ‘që në zgjedhjet e ardhshme do të premtojmë edhe këtu’, ai premtimet i ka premtime. Çdo zgjedhje i ka të njëjtat premtime gati edhe kur po i dëgjoj ashtu po i bjen. E dëgjoj, ka të njëjtat premtime. Një sërë e sërë premtimesh që ‘do ta bajmë, do ta bëjmë….’. Fjalia kryesore në këto zgjedhje e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për Kryeministër të tyre, Albin Kurti, është…”Do t’a bëjmë”. Ka qenë para 6 vitesh do t’a bëjmë, tani është do t’a bëjmë, dhe ne këtu dallojmë shumë sepse ne kemi çfarë të themi, kemi bërë” deklaroi Ismaili.
Ismaili tha se sukseset në kohën e qeverisjes së PDK-së kanë qenë reale.
Ndërsa tani sipas Ismailit edhe pse Qeveria aktuale i ka në dispozicion 20 miliardë euro nuk po sjell asnjë rezultat konkret.
“Sukseset kanë qenë reale të qeverisjes së PDK-së. Që nga infrastruktura, kur janë ba premtimet e autostradave njerëzit bënin shaka me ato premtime, deklaronin, ‘ku po mendoni me ba autostrada në Kosovë’. Sot autostrada është një projekt i kahmotshëm që nuk po mundet sërish me u realizu por shumë i kahmotshëm në kuptim të qeverisjes. E njëjta është me arsimin, shkollat….infrastruktura e shkollave ka qenë në kontiniera, është ndërru peisazhi i Kosovës në atë drejtim, pra rritjen e pagave, idenë e Kosovës si një shtet demokratik, një vend stabilizues për krejt rajonin, një vend moral në regjion ka qenë. Pra politikë e brendshme e suksesshme, politikë e jashtme e suksesshme. Komplet një tablo tjetër sot, mungesë e investimeve, mungesë e zhvillimit, paga të ulëta, çmime të larta, fatura të rrymës të larta, një jetë e vështirë në Kosovë. E në Kosovë një qeveri 6 vite në pushtet, 20 miliardë euro i ka në dispozicion, këto të dyja nuk po qëndrojnë me njëra-tjetrën. Unë e kuptoj një qeveri e cila smundet me punu se nuk ka para por një qeveri që i ka 20 miliardë euro dhe nuk sjell rezultate konkrete, nuk është asgjë tjetër pos qeverisje e dobët dhe qeverisje që lejon me u abuzu paraja publike” deklaroi Ismaili në Blic Interview raporton “Gazeta Blic”.


