Ridvan Tahiri, ish luftëtar i UÇK-së, ka rrëfer për natën kritike kur Adem Jashari me familjen e tij u rrethua nga agresori serb dhe reagoi ndaj tij deri në rënien heroike.
Tahiri tregon se ka qenë e pamundur të dilje nga shtëpia në atë gjendje rrethimi, pavarësisht dëshirës që t’u dilje në ndihmë Jasharëve, duke iu përgjigjur atyre që thonë se familja Jashari nuk u ndihmua.
“Atë natë kur kam ardhur në Skenderaj unë ka qenë 3-4 mars, kam ardhur në 2 të natës, edhe në ora 5 e gjysmë apo 6 ka ardhur nana të më zgjojë nga gjumi dhe thotë: çu se na kanë rrethuar serbët. Në fakt të gjitha lagjet, të gjitha shtëpitë atë ditë kanë qenë të rrethuara, përveç lagjes Jasharaj që ka qenë e blinduar. E kam ndje njëfarë frike sepse nuk e dija a kanë ardhur për mua, a më ka parë dikush natën duke u kthyer sepse lëviznim me disa pallto të zeza për shkak të armëve që t’i mbulonim, edhe s’kam pasur 10-20 sekonda se s’i t’i shpëtoj nanën, babën, motrën dhe një vëlla të vogël dhe iu kam treguar se nëse na ndodh diçka, dijeni se unë jam në grupin e Llaushës, të rojeve të Llaushës, kështu që ma bëni hallall nëse ndodh më e keqja. Gjatë bisedës e kemi parë se i janë vërsulur bacit Adem ku është zhvilluar një luftë e rreptë, e pabarabartë, për arsye se i është kundërvënë një shtet një familjeje. Qëllimi i serbëve ka qenë që ta mposhtin për 1 një orë bacën Adem me luftime por ata kanë hasur në rezistencë aq të madhe, dhe normalisht që zgjatën 3 ditë luftime, për arsye se i madh e i vogël i janë përgjigjur zjarrit. Unë s’kam mundur të dal, jo vetëm unë por askush s’ka mundur të dalë atë ditë nga Skenderaji apo Llausha që t’i ndihmojmë me përforcime bacit Adem, sepse kam dëgjuar shumë zëra, flasin ata që janë në Evropë gjithë jetën e tyre dhe nuk e dinë se si është zhvilluar lufta në Kosovë “ku jeni ju trima që nuk i ndihmuat bacit Adem?” Atë ditë edhe krahët po t’i kishe pasur s’ke mundur të shkosh t’u dalësh në ndihmë familjes Jashari, as nga Llausha as nga Skenderaj, përpos ata që i ka pasur afër, në shtëpi, në lagje, siç ka qenë shtëpia e bacit Hamit, nënës Salë, të cilës i janë kundërpërgjigjur serbëve që t’ua ndalin hovin që të mos vazhdojnë më poshtë, ka qenë një pjesë e kodralive, e lagjes Kodra, e Lushtakëve që i janë përgjigjur aq sa kanë mundur, më shumë s’ka mundur askush, d.m.th. tri ditë kemi qenë në rrethim të hekurt, ku s’ka mundur askush të lëviz as nga shtëpia e vet të dalë, po flas atë që e kam parë unë, jo atë që e kanë parë ata prej perëndimit dhe sot flasin shumë lehtë”, ka thënë ai.
Kjo thotë se ka qenë shumë e vështirë, derisa të gjithë e kanë pritur se do të jenë në radhë pas familjes së Adem Jasharit.
“Është shumë e vështirë sepse nuk e din çka po ndodhë sepse nuk ke shans të shkosh t’i ndihmosh, por mbi të gjitha, në njërën anë e sheh se po zhvillohet një luftë mes një familjeje dhe një agresori shtetëror por pas asaj e ke radhën ti, janë ato mendimet e turbullta, nuk janë të gjitha familjet në Drenicë Adem Jashari, në atë kohë nuk kanë qenë të gjithë si Adem Jashari, s’kanë pasur të gjithë armatim, ka pasur shtëpi që e ka pasur një armë por me një armë nuk ke mundur t’i kundërvihesh një shteti. Baca Adem ka pasur pak armë, sa për t’iu kundërvënë forcave serbe 2-3 ditë. Mendoj se po të kishte pasur armatim më shumë, do të zgjaste edhe me javë”, ka potencuar Tahiri.
Ish ushtari i UÇK-së që ishte pjesëmarrës në varrimin e familjes Jashari, tregon si e mori lajmin për rënien heroike të saj.
“Në fakt, lajmin e kemi marrë ditën e tretë kur edhe vet familja jem dhe kushërinjtë e mi kemi vendosur që t’i varrosim familjen Jashari, me të nderuarin profesorin Xhafer Murtezain, i cili ka qenë dhe organizatori kryesor, ka qenë i ndjeri Ilmi Nuredini, familjar i Jasharëve. Atëherë kanë vendosur që trupat e Jasharëve të mos i lënë në duar të serbëve sepse ishte hapur një gropë që vetëm t’i fusin aty dhe t’i zhdukin gjurmët, kanë vendosur që lagjja Klina e Ulët ta marrin përsipër varrimin e tyre dhe mos t’i lënë në duar të serbëve. Nuk ka qenë e lehtë sepse të gjithë kanë qenë të kërcënuar e shantazhuar dhe me minuta e kanë pasur limitin se sa duhet varrosur. Kam pasur fatin e keq që të jem edhe unë pjesë e atij varrimi me gjithë familjen time”, ka rrëfyer ai./Gazeta Blic/


