I ftuari i radhës në emisionin Blic Interview me Astrtit Gashin, është kryetari në ardhje i AAK-së dhe kandidati për Kryeministër nga kjo parti, Ardian Gjini, raporton GazetaBlic.
Gjini ka deklaruar se si parti janë duke punuar që ti fitojnë zgjedhjet por jo për interesa personale, por për një vizion afatgjatë për shtetin.
Sipas tij, AAK është subjekti i vetëm politik që po paraqet një ide dhe vizion të qartë për të ardhmen e vendit.
“Ne po punojmë për me i fitu zgjedhjet por jo për vete, nuk ka naivitet këtu, nuk ka as arrogancë. Unë nuk muj me nis e mos me synu qeverisje për ato që i thash, nuk jam i bindur që ka me fitu, nuk jam tu thënë ka me fitu, jam tu thënë po punoj për me fitu, kom me i dhënë qytetarit të Kosovës opsion. Një gjë jam i bindur, që nëse jo në këto zgjedhje në ato tjerat fitojmë, nëse jo në ato tjerat në ato tjerat fitojmë, për shkak se jemi të vetmit që jemi tu e tregu një ‘arxh ide’, jemi tu e ‘vizatu’ ata që ne e besojmë, jemi tu e tregu tregimin tonë qysh dojmë me pa Kosovën. Jemi tu tregu cka po dojmë me pa dhe kjo është e vetmja andërr që ka me bë Kosovën atëherë me aspiru pastër pa asnjë dilemë dhe BE edhe NATO edhe krejt”, tha ai.
Tutje ai tha se qytetarët nuk kanë nevojë për “dhurata” të përkohshme nga qeveria, por për ndryshime reale që ua përmirësojnë jetën për një kohë të gjatë, përmes pagave më të mira, arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies së përgjithshme.
“Duhet me i kry detyrat tona, me bo jetën më të mirë, me i bo njerëzit më të lumtur në Kosovë, nuk janë të lumtur sot as ata që kanë as ata që s’kanë, e presin një dhuratë kohë pas kohë që ua jep qeveria, gëzohen dy ditë pastaj prap vazhdojnë njejtë, me paga të njejta, shkolla të njejta, me rrugë të njejta e spitale të njejta. Dhuratat e kohë pas kohshme na gëzojnë, çfarëdo qoftë ajo dhuratë, por nuk na e ndrron jetën e përditshme përtej asaj dhurate, nuk na e ndrron jetën, nuk na e bën jetën më të mirë por na gëzon dy ditë, tri ditë, një javë, një pagë shtesë na gëzon amo nuk jemi tu e lyp këtë gëzim të kohë pas kohshëm me nga një dhuratë jemi duke e lyp totalin me qenë të gëzueshëm gjatë, kjo është se çka jemi tu desht dhe për çka jemi tu punu”, u shpreh ai.
Ai theksoi se synimi i AAK-së është t’i japë Kosovës një qeveri që nuk e ka pasur kurrë.
“Po punojmë me i dhënë Kosovës qeveri që nuk e ka pas kurrë, hiç kurrë, ky është qëllimi i secilit që është në listë”, theksoi ai.
I pyetur për mundësinë e vijave të kuqe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, Gjini tha se aktualisht nuk merret fare me atë temë.
“Kjo është temë për të cilën nuk mendoj hiç, zero. Nuk jam tu menu për atë opsion hiç, jam tu menu me ndërtu një ekip, një koncept, një andërr të vizatuar, kushtimisht të vizatuar të thurrurr mirë, narracionin dhe tregimin të cilin kemi me ndjek dhe nuk kemi me u nda hiç. Të kaluarën nuk mundemi me ndrru, nuk mundemi si orakuj me ditë të ardhmen amo mundemi me punu për të ardhmen, unë jam tu punu e jo me prit se çka po ndodh edhe atëherë me vendos qysh me u sjellë por jom tu punu për me ndodhë ashtu siç është më së miri për Kosovën, ky është synimi im tjerat janë të parëndësishme”, përfundoi Gjini për BlicInterview.


