Ndryshe nga puna si gjyqtare, punën në krye të KQZ-së për 11 vite Valdete Daka e cilëson storie komplet tjetër.
Si gruaja e vetme në krye të 10 burrave, sfidat nuk i pati aspak të lehta. Bashkëpunimi dhe koordinimi i tyre thotë se ka qenë i vështirë. E, edhe më i vështirë ka qenë organizimi i zgjedhjeve në atë periudhë, në një mjedis të acaruar e me manipulime të shumta të votave.
Por, për të ka qenë dhe nder që kanë arritur që të organizojnë zgjedhje që më pas janë marrë shembull dhe janë vlerësuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
“KQZ ka qenë një storie komplet tjetër. Sepse është dashur prej një mjedisi ku ke qenë gjyqtare, ku ke qenë e pavarur komplet në një mjedis tjetër, është dashur të ballafaqohem me çështje që kanë pasur komplet tjera, me politikë, me zgjedhje, me një segment tjetër të shoqërisë. Ka qenë sfidë sepse fillimisht kam qenë femër në krye të 10 burrave të cilët kanë ardhur nga parti të ndryshme dhe kanë pasur mendime të ndryshme, kanë pasur qasje të ndryshme dhe ka qenë e vështirë të gjithë ata t’i koordinoj dhe të bashkëpunoj me ta. Po ashtu ka qenë sfidë me qenë në krye të një operacioni aq të rëndësishëm në vitin 2010 të zgjedhjeve, ku janë mbajtur zgjedhjet e para parlamentare sipas ligjeve të Kosovës dhe në një mjedis bukur të acaruar në atë kohë ka pasur manipulime të mëdha në ditën e votimit, ku ka pasur edhe vepra penale që janë kryer, ka qenë bukur e vështirë por ndoshta e kam pasur edhe fatin por edhe nderin që si KQZ e kemi bërë pothuajse të pamundurën dhe kemi arritur që prej një shteti i cili ka organizuar zgjedhje më të manipuluara në atë kohë edhe në regjion e më gjerë, t’i organizojmë zgjedhjet të cilat përmenden në të gjitha regjionin si shembull dhe janë marrë si shembull nga të gjithë ata që merren me monitorim të zgjedhjeve, se si duhet të organizohen një palë zgjedhje. Pra ka qenë për mua edhe nder dhe jam e lumtur që kam qenë në krye të një institucioni i cili ka arritur këtë”, ka rrëfyer ajo.
Paragjykimet e të qenit grua nuk e kanë kursyer as Valdete Dakën. Fillimisht si gjyqtare, sidomos në moshë aq të re, thotë se palët nuk kanë qenë të kënaqura që një grua të vendos për rastet e tyre.
Ndërsa, në KQZ ka pasur paragjykime se nuk mund ta përballojë presionin e madh politik apo medial, e shpesh thotë se është ofenduar nga anëtarë të këtij institucione, ku me disa gati sa nuk ka kaluar dhe në përleshje fizike.
“Si gjyqtare fillimisht kur kam qenë shumë e re jam paragjykuar sepse ka qenë paragjykim i përgjithshëm në Kosovë që një femër, sidomos aq e re, të marrë vendime aq të rëndësishme për jetën e dikujt apo pronën apo çfarëdo dhe palët kanë qenë jo shumë të kënaqura që ju ka rënë rasti te një femër por edhe ajo është tejkaluar. Në KQZ jo që ka pasur mosbesim por thjesht nuk kanë pritur që një femër mund t’i përballojë të gjithë atë presion të madh politik apo medial apo publik që e ka KQZ, sidomos në atë kohë që KQZ ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm dhe ka pasur edhe raste kur nga disa anëtarë jam ofenduar si femër dhe jam përballë gati edhe fizikisht, që kanë qenë pak sfiduese por megjithatë i kam tejkaluar”, është shprehur Daka./Gazeta Blic/


