• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“U tërhoqa për t’ia lënë kandidaturën Vjosës”/ Haziri jep detaje – a e fali elektorati Osmanin për lëvizjen në VV dhe tani kthimin në LDK?

05/10/2026 15:43
nga:G B

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka dhënë detaje se si ishte tërhequr për t’ia lënë Vjosa Osmanit kandidaturën për kryeministre në vitin 2019.

Ai po ashtu ka shpalosur detaje për marrëveshjen me VV-në, që thotë se ishte 4+ por që më pas ndodhi ndryshe.

Haziri ka theksuar se lëvizja e Osmanit te VV-ja më pas u shkaktoi atë që nuk e kishin pritur.

“Kam qenë emri më i pritur për t’u nominuar për kandidat për kryeministër në vitin 2019 dhe jam tërhequr, ia kam lëshuar Vjosës. Në këtë sallë ku jemi sot, në marrëveshje të plotë, që unë i kam besuar gjithmonë marrëveshjeve politike, në bisedë mes kolegëve, prej Isa Mustafës, kryetar, e deri te Lumiri që ka qenë deputet, unë jam tërhequr dhe kemi ndërtuar konsensus për nominimin e Vjosës. Po të mos tërheqesha, do ta çoja deri në fund. Me vota në strukturë dhe mbështetje politike, kurrë s’do të mund të kandidonte por unë e kam lexuar procesin politik, ambientin politik dhe i kam dhënë mbështetje, pastaj ka shkuar. Ajo që ka ndodhur me përvojën tonë të bashkëpunimit, LVV-LDK në qeverinë e 2020, është histori krejt tjetër. Qeveria ka qenë e koordinuar 4+, përtej një mandati jena dakorduar për të bashkëpunuar, sepse jemi marrë vesh për president 1 vit më herët, por për 51 ditë, nuk u përballua, veprimet e njënashme politike, problemet që na dolën, madje lëvizja e Vjosës e ka shkaktuar atë që ne nuk e kemi pritur”, ka potencuar Haziri.

Por, a e ka falur elektorati Osmanin për këtë largim?

Haziri thotë se elektorati i LDK-së falë shumë dhe i ka falur shumë herë, përpos për koalicionin me PDK-në.

“Definitivisht elektorati i LDK-së ka falë shumë, ka falë, din me falë, gjithmonë, vetëm një nuk na e ka falë, kurrë asnjëherë, nuk e di pse, koalicionin LDK-PDK nuk kanë arritur kurrë ta falin deri në fund. Koalicioni me AAK-në ka qenë thyerja më e madhe politike që është bërë në atë kohë dhe është përballuar dhe e kanë falë.

Anëtarësia e LDK-së ka falë, din me falë, natyrisht se ka besimtarë, ka militantizëm në çdo parti politike dhe ne e kemi bazën e madhe të saj që është jotolerante në këto vendime politike, por me kohë gjithmonë i kanë shëruar, i kanë kuptuar dhe kanë dhënë solidaritet politik dhe në këtë rast, nëse po shohin se krejt kjo po bëhet për shkak të një agjende politike, ku roli i LDK-së forcohet dhe rikthehet, sa më i rëndë është roli i LDK-së, zgjidhja e problemeve është më e lehtë, sepse ne e bëjmë më të lehtë, njerëzit e bëjnë më të lehtë, ne jemi mësuar ta bëjmë më të lehtë zgjidhjen e problemeve, mos ta komplikojmë, sikur çdo punë tjetër, shteti funksionon si familje”, ka deklaruar Lutfi Haziri./Gazeta Blic/