Pas shpërndarjes së Kuvendit dhe caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë ka nisur përgatitjet intensive për organizimin e këtij procesi, raporton GazetaBlic.
Elezi në një intervistë për dokumentarin ‘Expose’, prodhim i GazetaBlic, bëri të ditur se KQZ tashmë është duke u marrë me çështjet urgjente që do të trajtohen në mbledhjen e parë.
Ai theksoi se legjislacioni në fuqi i jep të drejtë KQZ-së që, në rast të zgjedhjeve të parakohshme, të reduktojë afatet për zhvillimin e aktiviteteve zgjedhore, duke bërë që i gjithë procesi të zhvillohet brenda një periudhe më të shkurtër kohore.
“Aktualisht KQZ është duke u marrë me përgatitjen e çështjeve të cilat janë me urgjencë për tu trajtuar në mbledhjen e parë të KQZ pasi të caktohet data zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë drejtim këto përgatitje përfshijnë planin e aktiviteteve për organizimin e këtij procesi zgjedhor, vendimin e KQZ për shkurtimin e afateve kohore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, sepse ligji për zgjedhjet e përgjtihshme ia jep të drejten KQZ në rrethana të tilla kur kemi zgjedhje të parakohshme, procesi apo aktivitetet zgjedhore duhet të zhvillohen brenda një periudhe të shkurte kohore pra me afate të shkurtra”, tha ai.
Elezi tutje shtoi se organizimi i disa proceseve zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër kohore paraqet sfidë për institucionin dhe administratën zgjedhore, por theksoi se KQZ do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor.
“Dhe gjithashtu në këtë fazë të përgatitjes është edhe planifikimi i buxhetitt i cili pasi të miratohet në mbledhjen e KQZ do ti dërgohet qeverisë së Kosovës për miratim. Sigurisht se është sfidë për KQZ dhe administratën e tij organizimi i kaq shumë procesve zgjedhore brenda një periudhe të shkurtë kohore por ky është mandati kushtetues i KQZ dhe do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjor për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, përfundoi ai për GazetaBlic.
VIDEO:


