Analistja politike, Shqipe Pantina, ka thënë se Albin Kurti është fajtor për shkuarjen në zgjedhje.
Ajo në një intervistë për Expose të Gazeta Blic, ka thënë se partitë s’kanë pasur vullnet për marrëveshje për presidentin.
“Po tash me këqyr me gjet fajtorin besoj është e ditur tashmë dhe nuk e kuptuam vetëm atë natë por në dy vitet e fundit. Kemi parë një mungesë të komunikimit mes subjekteve politike dhe kur them komunikim nuk e kam fjalën për disa takime formale që i kanë pasur por një komunikimi të sinqertë, ku në qendër është diskutimi për çështje të interesit publik e jo kush po bëhet kryeministër, kush po bëhet kryetar kuvendi apo president. Pra, klasa politike për mendimin tim në përgjithësi ka dështuar të jetë në krye të detyrës, të veprojë me përgjegjësi dhe natyrisht sa më e madhe që është përgjegjësia, aq më i madh është edhe faji, kështu që nëse duam ta gjejmë një fajtor për gjithë këtë, ai e ka emrin Albin Kurti”, është shprehur ajo.
Sipas saj, ka mundur të evidentohen zgjedhjet dhe të gjendet zgjidhje për presidentin, teksa vlerëson se liderët e partive opozitare, këta kanë qenë shumë të ngurtë dhe s’ka pasur vullnet për arritjen e një marrëveshje.
“E gjithë kjo ishte krejtësisht e panevojshme. Diskutimet është dashur të bëhen më herët, madje të diskutohen edhe disa prej emrave që u përmendën por nuk ka pasur vullnet për arritjen e një zgjidhje. E gjithë kjo që ka ndodhur në dy javët e fundit që gjoja komunikim, gjoja takime, nuk kanë qenë të sinqerta për arritjen e marrëveshjes këtë e kanë parë të gjithë, sepse tashmë e kemi kuptuar se si funksionon edhe kryeministri Kurti por edhe liderët e partive opozitare, këta kanë qenë shumë të ngurtë dhe s’ka pasur vullnet për arritjen e një marrëveshje”, ka potencuar ajo.
Por, a mund të prodhojnë zgjedhjet e reja zgjidhje apo krizë të re?
Sipas Pantinës, për këtë duhet pasur vullnet sepse mund të kemi rezultat të njëjtë apo të ngjashëm me atë të zgjedhjeve të kaluara.
“Prapë duhet vullnet. Çka nëse përsëritet rezultati i njëjtë apo i ngjashëm me atë që ishte, sërish të njëjtit liderë politikë duhet të ulen dhe të diskutojnë për një zgjidhje dhe nëse ata nuk e kanë vullnetin për gjetjen e zgjidhjes, ne do të sillemi në një rreth vicioz. Mua më dhimbsen vetëm ata qytetarë që s’kanë të drejtë vote që s’mund të votojnë e s’mund të vendosin por të gjithë ne të tjerët që mund të votojmë duhet të ndihemi përgjegjës që të veprojmë drejt, t’i zgjedhim njerëzit e përgjegjshëm, në mënyrë që pastaj edhe ata të sillen në mënyrë të përgjegjshme që të ndërrohet kjo mënyrë e mendimit politik dhe bërjes politikë sepse nuk po na çun askund si shoqëri. Kriza po vazhdon të rritet dhe politikanët vazhdojnë të mos pajtohen për pozita dhe jo për politika apo programe”, ka theksuar analistja.
Ajo shpreson se do të ketë ndryshime në rezultat por që thotë se është ende herët të dihet se si do të duket skena politike në fushatë.
“Ende nuk e dimë se si do të duket skena politike në fushatë, kush do të jenë kandidatët për kryeministër, a do të kemi kandidat të ri apo subjekt të ri që do t’i futet garës, si do të zhvillohet fushata, kështu që është herët të thuhet nëse do të ketë ndryshime. Dua të shpresoj shumë që të ketë ndryshime dhe qytetarët ta kuptojnë se është koha që ata ta marrin përgjegjësinë në duart e tyre dhe të mos ua lënë këtyre politikanëve të papërgjegjshëm dhe të zgjedhin njerëz që janë më të përgjegjshëm”, ka deklaruar Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


