I ftuari i radhës në emisionin Blic Interview me Astrit Gashin, ishte deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, raporton GazetaBlic.
Hoxhaj thekson se zgjedhja e presidentit kërkon para së gjithash vullnet politik nga kryeministri Albin Kurti, por edhe seriozitet nga të gjitha partitë politike.
Ai u shpreh se takimet politike duhet të kenë qëllim të qartë dhe jo të zhvillohen vetëm formalisht. Sipas tij, partitë opozitare nuk shkojnë në takim “sa për sy e faqe”, por për të arritur marrëveshje konkrete.
“Mendoj që për ta zgjedh presidentin duhet vullnet politik prej zotit Kurti por natyrisht që duhet edhe prej anës tonë seriozitet politik. Mendoj që kur kryetari i PDK apo kryetari i ndonjë partie tjetër në opozitë, shkon në një takim, shkon në takim ose për të bërë një marrëveshje ose nuk shkon fare në takim, por në të njejtën kohë përgjegjësinë më të madhe e ka Kurti, i cili do duhej të i thonte qoftë PDK qoftë LDK që për ta zgjedh presidentin kjo temë dhe kjo cështje ju takon juve, unë jam i gatshëm që të marrë propozime prej jush, unë jam i gatshëm ta mbyll me këtë temë dhe kjo vrehet prej atmosferës e cila ndodh në takime, nuk vrehet prej asaj e cila ndodhë në media me gjithë respetin e medias, por kur ka vullnet ka rrugë cdoherë në politik. PDK nuk ka shku në takim sa për sy e faqe, PDK nuk duhej të shkonte në takim sa për sy e faqe, unë nuk mendoj që neve na takon si opozitë që ta nxjerrim prej ngërqi qeverinë, por meqë ne e kemi një rol kushtetues në këtë vend, meqë në kushtetutën tonë thuhet se presidenti duhet të dal si rezultat i konsutlave mes partive politike, dhe ne duhet ta respektojmë kushtetutën jemi parti politike paralamentare dhe ne nuk mund ta braktisim dialogun”, u shpreh ai.
Hoxhaj bëri të ditur se brenda PDK-së ka pasur diskutime të gjera lidhur me këtë çështje, ndërsa partia pret nga Kurti që të sqarojë qartë se çfarë pret nga opozita në këtë proces.
“Ne kemi pas një debat të gjerë në kryesinë e PDK-së, edhe me mendimet dhe opinone të ndryshme, dhe që të jemi serioz ne presim prej ti që ai ti qesë në letër se cka pret prej nesh, thotë unë e pres këtë prej PDK, mandej ne si PDK duhet të ulemi dhe ta diskutojmë këtë cështje me seriozitetin më të madh. Unë nuk shoh që mund të ndodh dicka si ndyshim i rrjedhës së deritanishme, nëse qasja e Kurtit është e njejë si ka qenë në takimin e parë dhe të dytë. Le ti qetë në letër cilat janë pritjet e tij në raport me rolin që duhet ta ketë PDK, si e sheh raportin tonë me zgjedhjen e presidentit, mendoj që kjo do të ishte më se e qartë”, tha ai.
Sipas tij, PDK nuk është e interesuar të bëhet pjesë e qeverisë, por është e gatshme të kontribuojë për të shmangur zgjedhjet, përmes një marrëveshjeje për presidentin.
“Ne nuk duam që të hyjmë në qeveri, gjë nuk i duhet PDK që të jetë pjesë e një bashkëqeverisje me Kurtin, por me qëllim që vendi të mos shkojë në zgjedhje mendoj që kontribut i joni konkret do të ishte zgjedhje e presidentit nëse ka vullnet”, vlerësoi ai.
Hoxhaj bëri të ditur se PDK synon të propozojë dy emra për president.
“Asnjëherë nuk e kemi diskutu këtë cështjen e pjesëmarrjes në qeveri, ndoshta ka subjekte tjera që kanë pas këtë qasje. PDK do që ti propozoj dy emra për president, kjo ka qenë kërkesë e jona, nëse Kurti do ta kishte qasjen e kundërt të një bashkëqeverisje me ndonjë subjket tjetër politik, që në janar do duhej të nis procesi krejt ndrysh dhe do duhej të fillonte edhe për arsye kushtetuese edhe simbolike, presidenti është simbol i shtetit të Kosovës, fillimisht duhet të zgjidhej presidenti dhe mandej të formohej qeveria”, tha ai.
Ndër të tjera ai theksoi se Partia Demokratike e Koosvës, nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni politik.
“Ne duam që të ketë zgjidhje, por PDK nuk i nënshtrohet dhe nuk do ti nënshtrohet diktatit të askujt për ta zgjedh presidentin nëse nuk ka vullnet politik, nëse nuk ka vullnet politik prej Kurtit dojmë me shku në zgjedhje shkojmë në zgjedhje, por përgjegjësinë e mban ai nëse vendi shkon në zgjedhje”, përfundoi Hoxhaj.


