• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Hoxhaj: PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, përndryshe i drejtohemi Kushtetueses

04/10/2026 21:31
nga:Mergim Rreci

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me çështjen e përfaqësimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke insistuar se anëtari i dytë i takon kësaj partie dhe duke paralajmëruar veprime ligjore në rast të mosrespektimit të vendimit.

Hoxhaj ka theksuar se kjo çështje tashmë është e qartësuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe ka kërkuar që procedurat të përmbyllen pa vonesa.

“Mendoj se anëtari i dytë në KQZ i takon PDK-së. Kjo çështje është qartësuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese. Zonja Haxhiu duhet të procedojë me emërimin e anëtarit të dytë nga PDK. Nuk kemi pritur që presidentja Vjosa Osmani të përfundojë mandatin pa i dhënë zgjidhje një teme të tillë.”

Ai ka paralajmëruar se çdo vonesë apo shmangie nga ky proces do të përbënte shkelje serioze kushtetuese.

“Nuk duhet humbur më kohë, sepse në të kundërtën do të kemi një shkelje të rëndë kushtetuese. Nuk ka nevojë të hyjmë në një situatë të tillë, por nëse e drejta e PDK-së nuk respektohet, do t’i drejtohemi sërish Gjykatës Kushtetuese. Këto vonesa duken si përpjekje për të fituar kohë, ndërkohë që kjo është një e drejtë e qartë dhe e padiskutueshme e PDK-së.”

Sipas tij, nëse çështja vazhdon të zvarritet, Kushtetuesja është e detyruar të japë një vendim përfundimtar.

“Nëse kjo çështje vazhdon të mbetet e hapur, Gjykata Kushtetuese duhet ta trajtojë dhe është e obliguar të japë një përgjigje të qartë.”

/GazetaBlic/