• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Rrëfimi i Safet Blakaj: Sfidat dhe themelimi i “Labirint”, qendrës për trajtimin e përdoruesve të drogës

03/20/2026 21:15
nga:G B

Në rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës, jeta rrjedh me ritmin e përditshmërisë—por pas kësaj pamjeje të zakonshme, fshihet një realitet më i errët. Përdorimi i drogave është një fenomen që ka prekur shumë shoqëri në mbarë botën, dhe Kosova nuk bën përjashtim.

Në vitet e fundit, numri i të rinjve që eksperimentojnë me substanca narkotike ka shënuar rritje.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 40 mijë përdorues të drogave, prej tyre 15 mijë janë përdorues problematikë të drogave.

Faktorët janë të ndryshëm: presioni shoqëror, dëshira për t’i takuar grupit, kureshtja e shumë të tjera.

Për disa, droga fillon si një mënyrë për të ikur nga realiteti; për të tjerë, si një përpjekje për t’u përshtatur me rrethin.

Por pas momentit të parë të “arratisjes”, pasojat janë të rënda.

Varësia nuk është thjesht një zgjedhje—ajo është një gjendje që prek trupin dhe mendjen. Shumë të rinj që bien pre e drogave përballen me probleme shëndetësore, izolim social dhe vështirësi ekonomike. Familjet shpesh mbeten të pafuqishme, duke u përpjekur të kuptojnë dhe të ndihmojnë, ndërsa stigma e shoqërisë e bën edhe më të vështirë kërkimin e ndihmës.

Ndonëse institucionet dhe organizatat në Kosovë kanë bërë përpjekje për të luftuar këtë fenomen, sfidat mbeten të mëdha. Mungesa e resurseve dhe nevoja për më shumë edukim publik janë ende pengesa serioze.

Por ka edhe histori shprese. Ka individë që kanë arritur të dalin nga kjo rrugë e errët, duke rindërtuar jetën e tyre hap pas hapi.

Për trajtimin e personave që përdorin substancat narkotike, në vitin 2002 u themelua qendra Mediko-Psikoterapeutike Labirint, si nevojë e parë pas luftës.

Themeluesi i kësaj qendre, Safet Blakaj, në një rrëfim për dokumentarin Expose të Gazeta Blic, ka treguar rrugën në këtë fushë, sfidat përgjatë viteve dhe gjendjen aktuale në vend me përdorimin e drogave.

Blakaj i cili është defektolog, thotë se profesioni e ka shtyrë që të themelojë një qendër për trajtim të personave që përdorin drogën.

“Çështja profesionale është ajo që më ka shtyrë ta themeloj, edhe pse individualisht kam punuar me raste të caktuara edhe para luftës por pas luftës e kemi parë të arsyeshme bashkë me dy shokët dhe kolegët e mi, Luigjin dhe Bujarin, e kemi themeluar, në fillim si kompani private dhe një vit më vonë e kemi kaluar në OJQ, 2002 si institucion privat, 2003 si OJQ. Ideja ka qenë se çka mund të bëjmë si institucion privat dhe çka si OJQ, si institucion privat do të mund të ishim më mirë financiarisht por si OJQ kemi bërë përfshirje të të gjitha programeve të asaj kohe që janë zbatuar në Evropë që në atë kohë, pra nuk është vetëm trajtimi, në kuptimin shërimi por edhe shumë programe tjera të cilët ndikojnë shumë në jetën e këtyre personave. Më vonë janë tërhequr dy kolegët e mi dhe kam vazhduar vet”, ka thënë ai.

Blakaj tregon se si çdo fillim, edhe ai ka pasur vështirësi.

“Fillimi, si gjithçka, ka qenë i vështirë, edhe pse mendoj se e kam njohur në terren se çfarë po ndodh me drogat dhe me plot siguri kemi hyrë në këtë sepse e kemi parë se çfarë po ndodh në terren dhe komponenta tjetër ka qenë përgatitja profesionale që ka ndikuar shumë, që të vazhdoja më tutje. Më tutje natyrisht kanë qenë problemet e rritjes së kapaciteteve tona, kemi pasur disa donacione të vogla por shumë të mirëseardhura, derisa kemi filluar me një program afatgjatë me Fondin Global, i cili edhe vitin tjetër do të na përkrahë, edhe pse dukshëm janë zvogëluar financat, edhe ne jemi në një krizë financiare, që e kam përjetuar në vitet 2005-2008”, është shprehur ai.

Qëllimi i qendrës që ai e themeloi ishte trajtimi por edhe parandalimi dhe zvogëlimi i dëmit nga përdorimi i drogave. Ndërsa, programi i futjes në metadon ka nisur në vitin 2008 pjesërisht.

“Nuk është vetëm trajtimi ose shërbimi, fjalën shërim e përdorim rrallë ose fare sepse nuk është kryesori ai, ai vjen i fundit, ne e quajmë trajtim. Pra, nuk ka qenë vetëm trajtimi por edhe parandalimi, edhe zvogëlimi i dëmit. Kjo e fundit është një koncept i ri i cili me vështirësi është kuptuar nga mjekët po edhe kolegët, politikëbërësit dhe është dashur shumë aktivitet për ta kuptuar zvogëlimin e dëmit të personave përdorues të drogës, atëherë janë zvogëluar dëmet që ata ia kanë shkaktuar vetes.

Futja e programit me metadon ka qenë pikë kyçe për neve dhe ka ndikuar shumë që të ndalohet përdorimi i heroinës në Kosovë. Pra ky program është futur në 2008 pjesërisht, pastaj në 2012 ka marrë formën komplet edhe të përkrahjes institucionale dhe atëherë bashkë me institucionet relevante kemi arritur që dukshëm ta ulim përdorimin e heroinës, edhe sot heroina është më pak e përdorshme se drogat e tjera, kokaina dhe marihuana”, ka potencuar Blakaj.

Qendra Labirint është institucion shëndetësor i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për operim me narkotikë për ofrimin e shërbimeve sociale e programe të tjera.

“Labirinti është institucion shëndetësor i licencuar nga MSH dhe kemi licencë për operim me narkotikë për ofrimin e shërbimeve sociale. Këto janë komponentët bazë mbi të cilat veprojmë ne, të sigurisë, kualitetit e kështu me radhë. Tjetër është psikoterapia që është po ashtu e licencuar, kemi po ashtu psikologë të natyrave të ndryshme, sigurisht që personat që janë të trajnuar mirë, ato metodologji t’i zbatojnë te zbatuesit e drogave. Nuk mësohet shumë për drogat as në fakultet dhe prandaj ka probleme se si duhet të trajtohen përdoruesit e drogave. Program tjetër është parandalimi i infektimeve te përdoruesit e drogave nga HIV-i, Hepatiti B dhe C. Nga Hepatiti C kemi pasur raste të suksesshme që deri më sot 34 raste kanë marrë trajtim, në bashkëpunim me ministrinë e shëndetësisë dhe klinikën infektive, dhe janë shëruar plotësisht”, ka rrëfyer ai.

Megjithatë, ai thotë se kushtet financiare që prej 3 vitesh nuk janë shumë të mira në këtë qendër, pasi janë zvogëluar fondet.

“Ne kemi pasur kushte më të mira dhe kemi qenë në gjendje të mbajmë më shumë staf, deri para 3 viteve por kanë filluar të zvogëlohen fondet, edhe tash jemi me problem. Pra, kemi pasur një periudhë shumë të mirë sepse kanë qenë projektet afatgjata dhe kemi pasur mundësi ta përgatisim stafin profesional në mënyrën më të mirë të mundshme, ne kemi psikologë, psikologë klinikë, psikiatër, punëtorë socialë, por kemi edhe ish përdorues të drogës që janë trajtuar te ne dhe janë angazhuar me punë pastaj, që është shumë mirë edhe për ne sepse ata japin gjithçka nga vetja për të ndihmuar dhe hapin disa rrugë për në terren”, ka theksuar Blakaj.

Aktualisht në programin metadon në këtë qendër janë 135 raste.

“Në terapinë me metadon janë 135 raste, të cilët vijnë në baza ditore për terapi në Labirint, te ne trajtimet nuk janë hospitalore por ambulantive, ku çdo ditë mund të vijnë të marrin trajtime, konsulta”, ka thënë ai.

/Gazeta Blic/