Për dhunën në familje, shkaktarët e pasojat e saj ka folur dhe psikologia klinike, Pranvera Jetishi – Çollaku.
Për dokumentarin Expose, ajo thotë se është shqetësuese rritja e numrit të rasteve të dhunës.
“Dhuna në familje është shumë shqetësuese për faktin që kemi edhe një dëshmi që është në rritje viteve të fundit dhe pasojat e saj janë të kushtueshme për vetë individët e përfshirë edhe për familjarët e tjerë”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se ka shumë faktorë që ndikojnë në shfaqjen e dhunës në familje, përfshirë stresin, varësinë ekonominë, frustrimet e të tjera.
“Shikuar nga këndvështrimi psikologjik, faktorët e shfaqjes së dhunës në familje mund të jenë të shumtë për faktin që kemi modelet e mësuara të zgjidhjes së problemeve përmes agresionit. Pastaj janë stresi dhe përditshmëria e vështirë që kalojnë çiftet, mund të jetë varësia ekonomike dhe keqpërdorimi i financave nga njëra anë e partnerit ku lehtësisht mund të hyjmë në probleme verbale e mandej të kalojnë edhe në aspektin e dhunës fizike. Pastaj janë faktorët personal që mund të jetë duke kaluar individi ndonjë vështirësi emocionale, mund të jetë frustrimet e shumta që është duke kaluar përsëri një individ, mosmundësia e zgjidhjes së problemeve përmes komunikimit si formë më e mirë e zgjidhjes së tyre. Në përgjithësi do të thotë është një ndërthurje e faktorëve edhe personal, edhe faktorëve social, edhe faktorëve psikologjik”, është shprehur psikologia.
Për numrin e lartë të rasteve të dhunës te gratë, ajo thekson se kjo ndodh për shkak të dallimeve gjinore në shoqërinë tonë.
“Në këtë rast shihet një rritje e raportimit të dhunës në familje sidomos te femrat që shihet si faktor i dallimeve gjinore që përcillen tek shoqëria jonë. Në këtë rast, meqenëse është një shifër e lartë, mund të kemi dy gjëra që po ballafaqohen. Në një rritja e dhunës apo mund të jetë edhe konteksti që femrat apo gratë janë vetëdijesuar më shumë për ta raportuar dhunën” , ka thënë ajo.
Ajo ka treguar për pasojat e dhunës te viktimat, sidomos te gratë.
“Po fillimisht dhuna fizike ndoshta është ajo forma e fundit e dhunës që e shohim tek individi. Në këtë rast ne që po flasim për gratë, tek një grua, për shkak që një dhunë fizike ka një histori edhe të dhunës verbale apo dhunës emocionale tek ato gra në përgjithësi. Për shkak që shfaqen herë pas here, injorohen, ose përpihen për arsye të ndryshme, nuk raportohen me kohë dhe pretendojnë të zgjidhen në mënyra alternative”, është shprehur psikologia.
Viktimat e dhunës në familje kërkojnë dhe ndihmën e psikologut.
Raste të tilla ka trajtuar dhe psikologia Jetishi-Çollaku, teksa thotë se viktimat çdoherë e shohin mundësinë që të tejkalojnë dhunën e shpesh pyesin nëse ajo do të përsëritet sërish.
“Meqenëse jemi në kontekstin klinik edhe po flasim edhe për klientët që vijnë, trajtohen apo të kërkojnë shërbime psikologjike, kemi raste të shpeshta ku janë prezente format e dhunës, bile format e dhunës emocionale edhe verbale janë shumë prezente, pastaj që kalojnë edhe në dhunën fizike. Mirëpo, shpeshherë është shqetësuese ajo që këto viktima e kanë e kanë shikuar mundësinë të tejkalohet pa e raportuar atë formë të dhunës dhe një pyetje që bëhet shpeshherë në kontekstin e trajtimit, shembull kujtoj rastet kur gratë për herë të parë ballafaqohen me dhunën fizike në familje, kërkojnë nga psikologu që, a përsëritet dhuna më? A do të përsëritet domethënë nëse unë vazhdoj edhe jetoj me bashkëshortin? Çka është një pyetje që nuk mund t’i japim përgjigje strikte për shkak të atyre faktorëve që thamë që janë prezent para se të ndodhë ajo, ajo lloj dhune”, ka theksuar ajo.
Pasojat që lë dhuna janë të mëdha, në disa raste edhe vdekjeprurëse.
“Pasojat janë shumë të mëdha në kontekstin emocional për shkak se një viktimë e dhunës, cilësdo formë të dhunës që është duke kaluar, përjeton një stres të vazhdueshëm që mandej kalon edhe në një ankth më të theksuar që lidhet pastaj në shumë raste edhe me depresionin edhe me thellim të gjendjes së rënduar emocionale. Kemi raste ku pasojat e dhunës janë edhe vdekjeprurëse në kuptimin e vetëlëndimit dhe vetëvrasjeve tek viktimat e kësaj dhune apo si rezultat i dhunës së vazhdueshme në familje, kemi rastin edhe të femicidit”, ka potencuar Jetishi-Çollaku për Expose.
E, shërimi nga traumat merr dhe mjaft kohë. Këtë e shpjegon psikologia klinike.
“Varet shumë krejt nga e gjithë historia e klientëve, në këtë rast qoftë edhe e burrave apo edhe e grave sepse dhuna ndodh edhe në kontekstin e burrave, mirëpo është më pak e raportuar për shkak edhe të paragjykimeve që ndodhin edhe për shkak të pritshmërive që burrat duhet të jenë të fortë, burrat nuk kalojnë në dhunë e tjera e tjera. Mirëpo e don kohën e vet, varet në çfarë faze është raportuar rasti apo në çfarë faze ka kërkuar shërbime psikologjike dhe pikërisht nga aty niset mënyra e tretmanit të tyre. Do të thotë nuk ka një çelës fiks që i duhen, 10 takime ose shtatë apo tutje, por varësisht nga konteksti dhe sa është thelluar efekti negativ në gjendjen emocionale dhe psikologjike në përgjithësi të viktimës së dhunës në familje”, ka deklaruar ajo.
Në aspektin psikologjik, ka edhe disa faktorë që ndikojnë që viktimat të mos e raportojnë dhunën.
“Është shumë e vërtetë që në kontekstin tonë shoqëror nuk raportohet fillimisht dhuna ose ndonjë problem tjetër që çon deri tek një dhunë për shkak të stigmës ende prezente, të nivelit të lartë të saj në shoqërinë tonë, të frikës nga mbajtja e konfidencialitetit shpeshherë të institucioneve apo persona ku i drejtohen. Në raste të caktuara mungon edhe edukimi për ta raportuar atë dhunë, mungon vetëdija edhe për atë mënyrën që të gjithë jemi të barabartë para ligjit, para drejtësisë e tjera e tjera”, ka thënë psikologia.
Që të rritet vetëdija e të parandalohet dhuna bën thirrje edhe psikologia Pranvera Jetishi-Çollaku, e cila po ashtu bën thirrje që dhuna të raportohet në institucionet përkatëse.
“Është shumë e rëndësishme që të ngritet vetëdija për kujdesin edhe për mirëqenien personale, mirëqenien emocionale. Të rritet vetëdija për atë se çfarë shkel kufijtë e secilit individ dhe çfarë mund të jetë dhunë emocionale, dhunë psikologjike apo dhunë fizike. Të raportohet me kohë, të raportohet në institucionet adekuate dhe të shikohet mundësia e zgjidhjes së tyre problemeve paraprake përmes komunikimit dhe formave adekuate të zgjidhjes së tyre në mënyrë që të parandalohet edhe theksimi më i madh i tyre deri te format më të rënda të dhunës edhe të marrjes së jetës së këtyre individëve”, ka përfunduar psikologia Pranvera Jetishi-Çollaku./Gazeta Blic/


