Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL e UÇK-së, për dokumentarin Expose thekson se përmes protestës u dha mesazh i qartë se në emër të popullit të Kosovës s’mund të ketë vendim tjetër pos lirues për ish krerët e UÇK-së.
“Ju e dini që kjo nuk ishte protesta e vetme. Ne kemi organizuar edhe protesta të tjera në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup, në Strasburg edhe në Hagë. Protesta e fundit në Prishtinë ishte rikapitulim i të gjitha atyre përpjekjeve tona që të japim qëndrimin e opinionit publik pranë, para opinionit të gjerë ndërkombëtar, por edhe para asaj gjykate se i gjithë populli do të thotë është bashkë në një mendim për drejtësi dhe jo për politikë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës siç ka ditur ta bashkojë popullin në luftën e saj të armatosur, domethënë se lufta ka qenë e popullit, por Ushtria Çlirimtare ka qenë vetëm udhëheqësja e asaj lufte sepse e krejt Ushtria Çlirimtare ishte vetë populli ynë dhe është projekti më i madh i shqiptarëve pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në të cilin projekt kanë hise të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë dhe UÇK-ja nuk është e askujt, por është e gjithkujt. Prandaj mendoj se edhe përmes këtyre protestave u dha një mesazh i qartë se çdo vendim tjetër përpos vendimit lirues për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të ndodhë, por jo në emrin tonë”, tha ai.
Tutje ai ka reaguar ashpër lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke e cilësuar atë si të stërzgjatur, të padrejtë dhe të mbushur me parregullsi procedurale.
“Një proces shumë i stërzgjatur, një proces i cili me vete ngërthen mjaft parregullsi, jo transparencë dhe si të them ajo gjykatë punoi tërë kohën pa llogaridhënie, pa transparencë dhe në fund e përmbylli këtë proces dhe ku pritet vetëm epilogu përfundimtar.Prandaj e kemi përcjellë me vëmendje, mirëpo që nga fillimi ne nuk kemi qenë të kënaqur. Është bërë me plot shkelje të të drejtave të njeriut, me shkelje procedurale, me pranim të dokumenteve dhe të dëshmive nga shteti okupues serb, nga prokuroria e tij dhe nga qarqe të caktuara ushtarake dhe policore dhe të them të drejtën në prokurorinë e atij gjyqësor, atij tribunali nuk kemi besim. Duke pasur parasysh se me çfarë dëshmish dhe dokumentesh është furnizuar”, tha ai.
Duke folur për deklaratat përmbyllëse të ish krerëve të UÇK-së, Sopi u shpreh se ato janë pritur me emocione të veçanta, duke i cilësuar ish-drejtuesit e UÇK-së si dinjitozë, të fortë dhe të paepur, ashtu siç, sipas tij, ka qenë edhe lufta e tyre.
Ai kundërshtoi pretendimet e prokurorisë se lufta e UÇK-së është zhvilluar për pushtet, duke theksuar se ajo ka pasur për qëllim vetëm çlirimin e vendit nga, siç u shpreh ai pushtuesi okupues serb.
“Po të them të drejtën, ne me emocione të vecanta i kemi pritur deklaratat e tyre. Ata si gjithmonë dinjitoz, të fortë dhe të paepur siç ka qenë lufta e tyre, siç ka qenë e gjithë jeta e tyre në funksion dhe në dobi të lirisë pa e cenuar lirinë dhe pa e cenuar të drejtën e askujt tjetër, përpos luftës për liri të popullit tonë. Do të thotë prokuroria është munduar që të shpërfaq para trupit gjykues se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ata burra që kemi atje që kanë qenë në krye të saj, kanë bërë luftë për ndonjë pushtet. Unë nuk di luftë për cilin pushtet e kanë fjalën kur dihet që pushtet ka qenë vetëm pushtuesi, pushteti okupues serb, ndërsa lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë e orientuar fund e krye për çlirimin e vendit nga një okupator shekullor”, vlerësoi tutje.
Sopi shtoi se OVL-UÇK-ja do të vazhdojë të kërkojë drejtësi deri në vendimin përfundimtar.
Ai u shpreh i bindur se, nëse gjykata ka drejtësi, do të marrë vendim lirues, por paralajmëroi se në rast të një vendimi dënues ndaj UÇK-së, organizata nuk do ta pranojë atë dhe do të reagojë me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion.
“Ne nuk do të ndalemi kurrë derisa në atë gjykatë, në atë vend të ketë drejtësi. Në qoftë se ajo gjykatë vërtetë ka një fije drejtësi diku ka ajo jam i bindur se do të merr vendim lirues. Mirëpo në qoftë se ajo merr vendim për të dënuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të dënuar luftën tonë të drejtë, atëherë ne kurrë nuk do të pranojmë dhe kurrë nuk do të pajtohemi dhe me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion, me të gjitha mjetet demokratike, ne do të jemi dhe do të luftojmë për të drejtën tonë e cila është një e drejtë kombëtare në atë kuptimin e lirisë sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës askujt s’i ka bërë keq, përpos çlirimit të vendit nga një okupues i cili vendin tonë për gati 100 vjet nuk ka lënë gjë të zezë pa i bërë”, përfundoi ai.


