• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Eman Rrahmani: Qëndrimi i çlirimtarëve në Hagë është padrejtësi e madhe, vendime të pabazuara e të padrejta – presim lirimin e tyre

02/20/2026 21:20
nga:Sh R

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani, thotë se qëndrimi i ish krerëve të UÇK-së, në Hagë, është një padrejtësi e madhe që iu është bërë për më shumë se 5 vite, raporton GazetaBlic.

Rrahmani në një intervistë për dokumentarin ‘Expose’, vlerëson se vendimet e kësaj gjykate kanë qenë të padrejta dhe të pabazuara.

Tutje ai shton se mohimi qoftë edhe i mbrojtjes në liri ka treguar që kjo gjykatë është më shumë politike dhe se nuk ka drejtësi në të.

“Absolutisht që qëndrimi i çlirmitarëve në Hagë është një padrejtësi e madhe që iu është bërë tash e më shumë se 5 vite. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e drejtë, luftë e cila ka qenë për ruajtjen dhe mbrojtjen e jetëve të njerëzve, vendit popullit dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si vendim, kanë qenë vendime të padrejta dhe të pabazuara dhe të paargumentuara nga prokuroria, mohimi qoftë edhe i mbrojtjes në liri ka tregu që kjo gjykatë është më shumë politike dhe nuk ka drejtësi në të”, tha ai.

Ai kritikoi ashpër kërkesat e prokurorisë, duke thënë se kanë qenë jo profesionale, tendencioze dhe të orkestruara prej qarqeve të caktuara.

Rrahmani shpreh pritshmëri që vendimi përfundimtar të jetë për lirimin e tyre, ku gjithashtu theksoi rëndësinë e kthimit të ish-krerëve të UÇK-së, në vendin e tyre.

“Sidomos kërkesat e prokurorisë kanë qenë kërkesa do të thosha jo profesionale, tendencioze dhe të orkestrume prej qarqeve të caktuara, nuk mund të kërkohet nga një prokurori që të ketë 180 vite burg për katër clirimtarët, pa asnjë argumentim apo faktim të fakteve të cilat ajo prokurori ka pretendu. Na presim që vendimi të jetë për lirmin e clirimtarëve, ata ti kthehen vendit dhe të vazhdojnë kontributin aty ku e kanë lënë dhe besojmë që vendimi përfundimtar të jetë ai meritori i cili do ti sjellë edhe Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin në vendin tonë”, tha ai.

Ndër të tjera, ai komentoi edhe protestën e fundit në kryeqytet, duke e cilësuar si madhështore, dhe më e madhja e organizuar ndonjëherë në vendin tonë, ku thekson se pjesëmarrja masive tregon fuqinë e zërit të popullit.

“Protesta ishte madhështore, më e madhja e organizume ndonjëherë në vendin tonë dhe për ketë mirënjohës e falenderues për të gjithë që organizuan dhe ishin pjesë e saj. Gjithë ai zë popullor do të ketë ndikimin, qoftë edhe emocional tek katër clirimtarët por edhe të tjerët që mbahen aty, mirëpo besoj që do ta ketë parasysh edhe Prokuroria edhe Gjykata që nuk mund të vendos në emer të popullit të Kosovës padrejtësi mbi askënd, sepse zëri i popullit të Kosovës ishte ai këtu në sheshin e kryqytetit, zë i cili ishte në mbrojtje pakompromisë të clirimtarëve tanë që po mbahen atje tash e më shumë se 5 vite”, përfundoi ai për GazetaBlic.