• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Hallaçi: Në dhoma dhe koridore të Radio Kukësit, strehuam vëllezërit tanë të dëbuar, u kthyem në një redaksi lufte!

01/30/2026 21:12
nga:Y I

Me datën 27 mars të vitit 1999 në orën 13:20 minuta në pikën kufitare të Morinës hyn 187 refugjatët e parë nga Kosova të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe.

Deri në orën 24:00 të po asaj dite ku numër do të shkonte në mbi 12 mijë e ditët në vijim në mbi gjysmë milioni shqiptar të zbarkuar në Kukës.

Kukësi, një qytet i vogël në verilindje të Shqipërisë brenda tre ditësh do të kthehej në vëmendjen e të gjitha mediave prestigjoze botërore për atë që po ndodhte.

Vendstrehimi i parë i refugjatëve në Kukës do të ishte Pallati i Kulturës, ‘Hasan Prishtina, ndërsa pjesa tjetër më pas u sistemua në shkolla, çerdhe, magazine dhe kampe të improvizuara.

Familjet kuksiane hapën dyert dhe zemrat duke pritur kosovarët që vinin nga lufta të torturuar, masakruar e dhunuar brutalisht nga gjenocidi serb që po ushtrohej mbi t’o.

Megjithëse kanë kaluar 27 vite nga ajo kohë, Kukësi dhe kuksianët e kanë të freskët në memorie çdo moment të asaj periudhë të rëndë, duke na pritur me shumë mall dhe nostalgji.

Ndalesa jonë e parë do të ishte Muzeu i vogël i Radio Kukësit, një vend dhe godinë që mbart hisori dhe dëshmi të gjalla të asaj çfarë kishte ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

‘Dhjetra të strehuar në dhomat dhe korridoret e kësaj radioje sillnin me vete dramën, dhimbjen dhe tragjinë e asaj çfarë po ndodhte atje’, tha për dokumentarin ‘Expose’ drejtori i Radio Kukësit, Jonuz Hallaçi.

Hallaqi na tregon njoftimet origjinale të asaj kohe, ku i sillnin, për të kërkuar të afërmit e tyre pasi nuk kishte mjete të tjera informimi.

“Rasim Mushoti nga Ratkoci i Rahovecit gjendet në Kukës jep numrin e telefonit” ishte një prej letrave të varura në mar mes shumë të tjerave që mbartin me vete edhe dhimbjen e 27 viteve më parë.

“Mirëseerdhët në këtë dhomë të vogël që është një muze i Radio Kukësit por në fakt është një pjesë e rëndësishme e historisë së dhimbshme të Kosovës dhe e kombit shiqptar pasi kjo radio që në pikënisjen e saj në vitin 1959 nga qeveria e atëhershme është krijuar posaçërisht për viset shqiptare në Ish-Jugosllavi. Këto vise çdo ditë e më shumë përveç të tjerave po u mohohej dhe e drejta për informim në gjuhën shqipe ose keqinfrmoheshin në gjuhën shqipe të diktuar nga politikat e Ish-Jugosllavisë apo më vonë dhe shumë të dhunshme të Serbisë.Normalisht që kjo Radio me antenat e drejtuara nga Kosova, nga viset shqiptare në Mal të Zi, Luginë, ka qenë një zë i fuqishëm që ka mbajt gjallë gjuhën, historinë, letërsinë, kulturën dhe idenë që këta shqiptarë të ndarë padrejtësisht nga trungu ‘mëmë’ e kanë një shpresë tek shteti amë dhe Radioja jonë kishte një strukturë programore të mirëfilltë për të informuar në çdo fushë shqiptarët që ndodheshin jashtë kufirit zyrtar. Mendoj se këtë mision e ka kryer më së miri ndër dekada, kuptohet edhe në bazë të një politike zyrtare që kishte shteti i atëhershëm shqiptar dhe kulmi arrin në vitin 1999 me dëbimin e dhunshëm të vëllezërve tanë nga trojet e tyre nga dhuna policore dhe ushtarake serbe dhe strehimi në Kukës dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë”

“Kukësi u bë qyteti i pritjes dhe e sfumoi varfërinë, problemet që i kishte ky rajon veri-lindor i izoluar, problemet që kishte Shqipëria sepse kishte kaluar një situatë aspak normale në 97-tën. Radio në atë kohë ishte mjeti i parë që informonte shqiptarët në kapërcyell të ekzistencës së tyre, jo vetëm këtu por edhe në malet e Kosovës, ku kishte të strehuar, luftëtarë. Mbaj mend që në Radio kemi strehuar, u bëm jo vetëm burim informacioni, por edhe strehë. I linim të vinin në dhoma, korridore… çdo njeri që vinte këtu ishte një histori më vete, ishte një dramë më vete, përcillte një tragjedi që kishte ndodh atje dhe këto njoftimet që janë origjinale mund të kishim 5, 8, 20 mijë në ditë sepse në atë kohë nuk kishte internet, linjë telefonike, televizion që të informoheshin…. të gjithë kishin nga një Radio të vogël të dhënë nga UNCR-ja dhe nëpër çadra, shtëpi, informoheshin s’e ku ndodhej i afërmi i tyre…..”Psh. Rasim Mushoti nga Ratkoci i Rahovecit gjendet në Kukës jep numrin e telefonit”, spikerja jonë këtë punë bënte gjithë ditën duke mos harruar se kemi qenë nga vitet 97-98-99 derisa u kriju edhe Radio Kosova e Lirë edhe një zë i fuqishëm edhe për luftëtarët e lirisë sepse bazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë në Kukës, Has dhe në Tropojë”

Ai tha se mban mend se ka lexuar edhe betimin e UÇK-së dhe se njëfarë mënyre ishin kthyer në një ‘Redaksi lufte’.

“Mbaj mend që kam lexuar edhe betimin e UÇK-së për herë të parë në këtë mikrofon, e kanë sjellë ish-drejtuesit e UÇK-së në bashkëpunim me njerëzit që i ndihmonin dhe e kemi lexuar. Përveç të tjerave kemi përcjell gjithë situatën që ishte në atë kohë në Kosovë, gjithë shpërnguljet, gjithë dhunën me mënyrat që ne kishim, edhe me lidhje të drejtëpërdrejta për t’a marrë, gjithë aktivitetet e UÇK-së, kuptohet ato që mund të jepeshin sepse disa gjëra tani thuhen, në atë kohë nuk mund të thuheshin dhe në njëfarë mënyrë unë kujtoj s’e kemi qenë një redaksi e luftës” tha drejtori i Radio Kukësit, Jonuz Hallaçi, për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic’.

/Gazeta Blic/

Video: