Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka mirëpritur vendimin e KQZ-së për rinumërim të votave në tërë Kosovën, pas disa parregullsive që pati në disa komuna, ku numri i votave ndryshoi shumë për disa kandidatë.
Melos Kolshi, hulumtues ligjor në IKD, ka thënë për Expose të Gazeta Blic se mospërputhja e rezultatit është shqetësim i madh dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur që nga viti 2021, e që kjo e cenon integritetin zgjedhor.
“Mospërputhja serioze gjatë procesit të rinumërimit në KQZ përbën një shqetësim të madh dhe se e përbën një cenim të integritetit zgjedhor dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga viti 2010 dhe një gjë e tillë e cenon integritetin zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në zgjedhje të lira dhe demokratike ashtu siç proklamohet edhe me Kushtetutë e po ashtu është qëllim i shtetit të së drejtës dhe demokracisë në përgjithësi. Një situatë e tillë duhet të ndëshkohet, fillimisht të hetohet e më pas të ndëshkohet dhe personat që janë përgjegjës lidhur me këtë çështje të marrin dënimin meritor lidhur me veprimet e tyre”, ka thënë ai.
Sa i përket Prokurorisë, ai potencon se ajo është dashur të ketë rol parandalues dhe jo pasi çështja është bërë mediatike.
“Mirë është që është vërejtur dhe po hetohet por prokuroria është dashur të ketë rol parandalues, por një gjë e tillë duhet të ketë parasysh prokuroria që edhe kandidatët për deputetë që u janë ngritur votat në mënyrë të pajustifikueshme të hetojë te secili prej tyre që ka dyshime nëse ka pasur shtytje nga ta që rezultatet të ndryshohen dhe rrjedhimisht kjo na ndryshon edhe drejt cenimit të besimit të qytetarëve për zgjedhje demokratike dhe të lira”, ka deklaruar ai për Expose.
Se pse ka ndodhur gjithë parregullsia me vota, Kolshi thotë se është bërë me qëllim që kandidatëve të caktuar t’u shtohen apo zbriten votat dhe se është një problem i strukturuar nga persona të caktuar për ta devijuar vullnetin e qytetarëve.
“Një gjë e tillë është bërë me qëllim që kandidatëve të caktuar t’u ngritet apo zbritet numri i votave, mund të themi se nuk është çështje individuale apo gabim teknik, por një gjë e tillë është një problem i strukturuar që persona të caktuar me plan kanë vendosur që ta devijojnë vullnetin e qytetarëve dhe që votat të shkojnë për disa kandidatë e për disa jo, dhe që është çështje e prokurorisë për hetim dhe presim që të hetohet e të mos mbizotërojnë emrat e përveçëm të kandidatëve, secili kandidat për deputet apo secili anëtar i KQZ-së, cilido qoftë ai, por hetimet duhet të bëhen të drejta dhe që personat që kanë bërë devijim të rezultatit zgjedhor të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Melos Koshi.
Po ashtu, ai thotë se pritjet janë që të shpërfaqen edhe parregullsi të tjera nga rinumërimi në tërë Kosovën dhe të kthehet vullneti i qytetarëve që kanë votuar.
“Patjetër që rinumërimi i votave na çon drejt parregullsive të reja, andaj presim që vullneti i qytetarëve të jetë mbi të gjitha dhe votat që janë shtuar për disa kandidatë e për disa janë hequr, të kthehen dhe që secili kandidat ta marrë rezultatin e tyre në bazë të vullnetit të qytetarë dhe jo të disa individëve që kanë qenë nën petkun e komisionerëve të KQZ-së”, ka shtuar ai.
Kolshi thotë se vonesat në certifikimin e rezultateve ndikojnë rrjedhimisht në shtyrjen e formimit të institucioneve.
“Secila nga vonesat e certifikimit të rezultateve ndikon edhe në formim të institucioneve sepse e dimë që pas certifikimit të rezultateve atëherë fillojnë të rrjedhin afatet për konstituimin e Kuvendit fillimisht, kështu që çdo ditë vonesë në certifikimin e rezultateve zgjedhore do të jetë ditë vonese në afatin për konstituimin e kuvendit dhe kjo ndikon pasi pa konstituim të Kuvendit nuk mund të themi që mund të procedojmë tutje për ta formuar qeverinë apo për ta mandatuar një kandidat për kryeministër, kështu që secili afat varet nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve e mandej duhet ta kemi parasysh edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, për arsye se e dimë që deri më 4 mars duhet që të zgjedhet presidenti i ri, kështu që në këto kushte që jemi duke shkuar thuajse është problematike që të ndodhë”, ka deklaruar hulumtuesi ligjor në IKD, Melos Kolshi.
/Gazeta Blic/


