• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Haliti: Qëndrimi i ngurtë i Kurtit rrezikon demokracinë – Presidenti duhet të jetë nga opozita!

01/16/2026 22:09
nga:Sh R

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ishte i ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin, i cili thotë se Kurti, nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta thirrur opozitën në bashkëpunim për formimin e qeverisë.

Ai tha se një nga mundësitë teorike për formimin e qeverisë nga opozita do të ishte koalicioni me Listën Serbe, por sipas tij kjo ka qenë “thikë me dy teha”, për shkak të propagandës së madhe të ndërtuar ndër vite rreth kësaj liste, si nga Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe nga partitë opozitare.

“Ai nuk e ka thirrë opozitën me u bashku. Mundësia me bë qeverinë opozita ka qenë me hy me Listën Sërpska në koalicon, mendoj që propaganda që është bërë në vazhdimësi në raport me Listën Sërpska nga LVV edhe nga partitë opozitare mendoj që ka qenë e madhe dhe kushdo që kish marrë nismën me hy kish me u ballafaqu me një reaksion shumë të madhë, propagandë në rrugë nga LVV dhe nga element të cilët janë akoma të papjekur politikisht dhe nuk u intereson e ardhmja e Kosovës aq shumë sa u intereson pozicioni i tyre personal. Ka qenë ‘thikë me dy teha’ me u bashku dhe me hy në koalicon me Listën Serpska, por opozita edhe me u bashku nuk kish mujt me i bë votat”, u shpreh ai.

Ai theksoi se opozita ka pasur tri kandidatura për kryeministër nga PDK, LDK dhe AAK, dhe se të paktën ka mundur të ndërmerrte një veprim për t’u bashkuar rreth një kandidature të përbashkët, por kjo nuk ka ndodhur.

“Na i kemi pas tri kandidatura për kryeminstër, edhe PDK, edhe LDK edhe AAK i kanë pas kandidatët e vet për kryeminstër, të paktën ka mujt me u ndërmarrë si veprim me u bashku dhe me pas një kandidaturë. Me i taku i ka taku Bedri Hamzës se ka qenë partia e parë, dhe pastaj me diskutu së bashku se cka me bë. Nuk mundet me u bë një qeveri për të cilën duartrokisin gjithë, opozita është me kundërshtu qeverinë, me i kundërshtu politikat e qeverisë cila do qoftë ajo dhe unë po besoj që ka mujt me ndryshu por se kemi bërë, pasojat janë zgjedhjet e reja e te shohim tash a do lut kënd Albini me bë qeveri a jo”, tha ai.

Haliti shprehet skeptik që Kurti mund të ndërmerr hapa të cilët garantojnë zgjedhjen e presidentit të Kosovës së bashku me zgjedhjen e qeverisë.

Tutje ai nuk e përjashton mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, ku thotë se në rast se nuk sigurohen votat e mjaftueshme vendi do të shkoj ne zgjedhje.

“Ndoshta për hirë të asaj që duhet me u zgjedh presidenti, ndoshta mund të bëjn naj matematik për ti zgjedhë të dy problemet për njëherë por unë jam skeptik dhe jam dyshues realisht te Albini që ai mund të ndërmerr hapa të cilët garantojnë zgjedhjen e presidentit të Kosovës thënë bashkë me zgjedhjen e qeverisë. Ekziston kjo mundësi, se në qoftë se ska vota, nuk janë 80 deputet në sallë vendi mund të shkoj në zgjedhje”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Haliti mendon se Kurti do të përpiqet të bëj dicka, mirëpo sic thotë ai, qëndrimi i ngurtë i tij që vetëm ai duhet me i kontrollu të gjitha pushtetet është shumë i rrezikshëm për demokracinë.

Deputeti vlerëson se Presidenti duhet të jetë nga opozita ose të paktën të ketë mbështetjen e gjerë politike.

“Unë mendoj që do të përpiqet Albini me bë dicka por qëndrimi i tij i ngurtë që vetëm ai duhet me i zgjedh të gjithë, vetëm ai duhet me i kontrollu të gjitha pushtetet është teper i rrezikshëm për demokracinë. Presidenti mendoj që duhet me qenë nga opozita, të paktën duhet me pas një miratim nga gjithë opozita dhe pozita që të kemi një president i cili kryen detyrat e veta dhe nuk merret me fushatën e vet por pas përfundimit të mandatit”, tha ai.

Haliti thekson se problemi më i madh i Kurtit dhe qeverisë së ardhme të Kosovës, do të jetë dialogu politik, ku shton se do të përballet me kërkesat e Bashkësisë Ndërkombëtare, për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.

Ai shprehu dyshimin se Kurti mund ta prolongojë qëllimisht formimin e qeverisë, duke mos përjashtuar as zgjedhjet e reja, por shtoi se asnjë variant nuk do ta ndryshojë qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj procesit të dialogut.

“Ai e ka zbut pak, nuk është Albini me deklaratat që ka qenë para këtyre zgjedhjeve, besoj që nuk është një politikan që nuk mendon dhe po besoj që ai e ka parasysh se cka po don me bë. Problemi kyç dhe më i madhi i Albinit dhe i qeverisë së ardhme të Kosovës është dialogu politik sepse do të përballet me kërkesat e Bashkësisë Ndërkombëtare për tu zbatu marrrëveshjet e nënshkruara, dhe ai e din këtë e din se cka është përgatitur. Prandaj unë dyshoj dhe kam frikë që për shkak të kësaj Albini mund të operoj në variantin tjeter duke menduar që do të fitoj edhe më shumë vota, ta prolongojë themelimin e qeverisë sic po bën loj tash me rinumërimin e votave, dhe do të gjej variante të ndryshme. Mund të organizoj edhe brenda subjektit të vet që e ka situata të cilat i konevojnë atij sepse mos me deshtë nuk mundet me ndodh dicka që e kundërshtojnë por mendoj që në secilin variant edhe në qoftë se prolongohet edhe në qoftë se shkojmë në zgjedhje të reja prap nuk ka me mujt me ndryshu qëndrimin e Bashkimit Evropoian dhe ShBA lidhur me negociatat”, përfundoi ai.