Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se rezultati i fundit zgjedhor për PDK-në nuk ka qenë ai i dëshiruar dhe as ai që është pritur, por sipas tij, ky rezultat është pasojë e rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat janë mbajtur zgjedhjet, raporton GazetaBlic.
Shala në një intervistë për dokumentarin ‘Expose’, prodhim i GazetaBlic, theksoi se zgjedhjet janë zhvilluar në fund të vitit kalendarik, pa përgatitje të mjaftueshme dhe në kushte të një lufte të padrejtë politike nga një qeveri në detyrë, e cila sipas tij ka shkelur parimet demokratike dhe ligjore.
“Rezultati i fundit zgjedhor për PDK-në, nuk ka qenë ai i dëshirueshmi dhe ai i cili është pritur. Por nisur nga fakti në rrethanat në të cilat janë zhivlluar këto zgjedhje të jashtëzakonshme në fund të vitit kalendarik pa përgatitije të mirëfillta dhe duke u përballur me një luftë politike të padrejtë me një qeveri në detyrë që ka abuzu dhe shkel cdo parim dhe cdo ligj, me një qeveri në detyrë që ka abuzu me paranë publike duke lëshuar në prag të fushatës zgjedhore qindra milionë euro për katëgori të caktuara pa asnjë kriter dhe pa asnjë bazë ligjore, sigurisht që rezultati ka qenë ky që është e për të cilin Partia Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka përmbyllë gjithë analizën dhe debatin e brendshëm për të dalë me një konstatim pak më të qartë”, vlerësoi ai.
Ai akuzoi qeverinë se ka keqpërdorur pozitat ekzekutive dhe gjithë infrastrukturën shtetërore në funksion të fushatës elektorale, duke investuar dhe siguruar vota përmes ndihmave financiare nga buxheti i shtetit dhe paratë e qytetaërve.
“Befasi nuk ishin sepse ne e kemi ngritur zërin në kontunitet për keqmenaxhimin institucional, për shpërdorimin e parasë publike për interesa të ngushta politike, për shpërdorimin e pozicioneve politike dhe ekzekutive ku qeveria në detyrë ka abuzu ritheksoj me gjithë infrastukturën shtetërore dhe ligjore në interes të votës së qytetarëve por që realisht ka investu dhe e ka siguru votën me ndihma dhe me paranë publike, duke abuzu me buxhetin e shtetit dhe paranë e qytetarëve”, u shpreh ai.
Shala u ndal edhe te vota e diasporës, duke theksuar se ndonëse mërgata ka të drejtë legjitime vote dhe është pjesë e pandashme e shoqërisë kosovare, sipas tij, edhe në këtë proces ka pasur abuzime serioze.
Sipas tij, situata e krijuar i ngjan praktikave të vendeve totalitare, ku, siç u shpreh ai, dominojnë logjika e diktaturës, mosrespektimi i rregullave demokratike, ligjeve dhe Kushtetutës, fenomene këto që, sipas Shalës, janë shpërfaqur hapur nga qeveria aktuale.
“E njejta logjikë është përdorur dhe është keqpërdorur skajshmërisht diaspora. Diaspora e kanë të drejtën e votën, janë pjesë e pandashme e qytetarëve të Kosovës, por që në relacion me instutcionet e qeverisë, qeveria përsëri ka abuzu me gjithë korin diplomatik që ka, ka abuzu me paranë, ka abuzu me skenarë të mundshëm, ka abuzu me infrastrukturën shtetërore që e ka vënë në shërbim të një partie në prag të zgjedhjeve, dhe në këtë relacion përseri kemi shkelje, kemi abuzim, kemi tejkalim të cdo norme demokratike dhe ligjore dhe kjo situtatë ndodhë vetëm në vendet totalitare ku dominon logjika e diktaturës, e mos njohjes, e rregullave të lojës, e demokracisë, e ligjeve e kushtetutës që tashmë janë shpërfaqë në mënyrën më të hapur nga kjo qeveri”, përfundoi Shala për GazetaBlic.
