• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Xhelili: Zhgënjimi nga Kurti po rritet çdo ditë, Bedri Hamza kryeministri i ardhshëm i Kosovës

12/27/2025 16:37
nga:Genita C

Kandidati i PDK-së për deputet, Selver Xhelili (numri 83), ka deklaruar se rezultati i arritur në zgjedhjet e 9 shkurtit ka qenë një nga arsyet kryesore që e kanë motivuar të kandidojë për herë të dytë për Kuvendin e Kosovës.

“Duke i parë votat që kisha në zgjedhjet e 9 shkurtit, më ka bërë që të kandidoj për herë të dytë për deputet në Kuvendin e Kosovës,” ka thënë Xhelili.

Ai ka vlerësuar planprogramin e Partisë Demokratike të Kosovës si një ofertë serioze për qytetarët, duke theksuar se kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e optimizmit të tij politik.

“Partia Demokratike e Kosovës ka një planprogram që besoj se është një ofertë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës. Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, më ka shtyrë që të jem më optimist në drejtim të kandidimit për deputet. Unë besoj që Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës dhe planprogrami i tij është më i miri për qytetarët e Republikës sonë,” ka deklaruar ai.

Xhelili ka kritikuar qeverinë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se premtimet për projekte kapitale, veçanërisht për Anamoravën, nuk janë realizuar. Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë çështjen e autostradës së Gjilanit.

“Qeveria e Albin Kurtit shumë shpesh ka dhënë premtime për autostradën e Gjilanit dhe kjo komunë asnjëherë s’ka marrë zhvillimet kapitale që i meriton,” ka thënë Xhelili, duke shtuar se me Bedri Hamzën kryeministër, rajoni i Anamoravës do të ketë një qasje krejtësisht tjetër.

“Me kryeministrin Bedri Hamza, Anamorava do të ketë një qasje shumë më ndryshe në të mirë për qytetarët e anës sonë,” është shprehur ai.

Sipas Xhelilit, Bedri Hamza është një lider që realizon premtimet e dhëna dhe kjo, sipas tij, do të reflektohet edhe në rritjen e mbështetjes për PDK-në.

“Unë mendoj që kryeministri në ardhje, Bedri Hamza, i cili është edhe kryetar i PDK-së, do ta çojë Partinë Demokratike të Kosovës në rritje të votës sepse Bedri Hamza është një person i cili atë që e premton edhe e realizon,” ka theksuar Xhelili.

Ai ka përfunduar duke thënë se dallimi mes zgjedhjeve të shkurtit dhe atyre të dhjetorit 2025 qëndron në zhgënjimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve nga qeverisja aktuale.

“Qytetarët e Kosovës po e shohin se çdo ditë po zhgënjehen nga qeverisja aktuale dhe planprogrami i tyre nuk është i mirëpritur nga ta,” ka përfunduar Xhelili.

Deklarata e plotë: