Esat Shala, koleksionues i dëshmive të luftës, thotë se nuk e dinte se ku do të shkonte ky rrugëtim, por që fakti që shteti nuk po bënte asgjë për ruajtjen e provave të gjenocidit serb, e shtynte të vazhdonte.
“Unë se kam ditur që do të vij ku jam sot, pasi e kam nisur duke kërkuar një fotografi e një video dhe pastaj ndërkohë, duke marrë parasysh që shteti nuk funksiononte sa i përket gjenocidit serb në Kosovë, unë u motivoja që të punoja dhe të mos humbnin gjurmët e këtij gjenocidi. E keqja tjetër është që shumë dëshmitarë kanë vdekur pa u marrë dëshmi dhe shteti s’ka bërë asgjë. Shteti as sot s’po bën asgjë për këtë, s’po mendon për ata dëshmitarë që janë gjallë dhe që duhet t’u marrë dëshmi për gjenocidin serb”, është shprehur Shala.
Ai për Expose thekson se ka shumë dëshmi që i ruajnë gazetarë e kameramanë të luftës, që nuk ia kanë dhënë e as nuk i kanë publikuar ato. Për ta, ai ka një thirrje.
“Ka shumë raste që mua s’mi kanë dhënë dëshmitë, ka ende incizime që mbahen të fshehura, nga kameramanë e gazetarë të luftës, që mendojnë një ditë të përfitojnë nga këto materiale, qëllimi im ka qenë që t’i bind ata ose të mi japin, ose t’i publikojnë këto incizime. Këtyre njerëzve u bëj thirrje që t’i publikojnë ato sepse njerëzit duhet ta shohin se çka ka ndodhur e jo të vdes ndonjë ushtar i UÇK-së e të shkojë në botën tjetër me merakun që nuk e ka parë veten si ka qenë në luftë. Për mua është ndjenjë e mirë kur publikoj në Facebook foto apo video nga lufta e ka ushtarë të UÇK-së që më kontaktojnë mua duke qarë dhe më falënderojnë për atë video që e kam publikuar dhe ua kam sjellë të kaluarën që e kanë pasur shumë të çmuar në atë kohë”, ka thënë ai.
Traumat edhe sot i ka të pashmangshme. Pagjumësi, ankth e nervozë e shoqërojnë vazhdimisht, teksa sheh videot e njëjta për qindra e mijëra herë, e të cilat thotë se i ndjen në lëkurën e tij.
“Për fat të keq ne kemi trauma edhe sot, unë personalisht kam problem me gjumë natën, bëhem shpesh nervoz pa kurrfarë arsye dhe kur ta marr një video në mbrëmje që ta shoh dhe ta bëj montazh për ta publikuar në Facebook, s’dua të më pengojë askush, e shoh vetëm pa askënd, dhe sa herë e shoh unë e mendoj veten aty në lëkurën e gjithë atyre njerëzve që duket në atë video, sepse e dua këtë punë dhe s’mund të jetoj pa të asnjë minutë. Unë shoh shumë video të luftës, pjesën më të madhe të kohës ia kushtoj shikimit të videove të luftës, i shikoj me qindra-mijëra herë dhe sa herë e shikoj një video gjej diçka më shumë që nuk e kam vërejtur më herët, në bazë të analizave që i kam bërë, sepse ka gjëra që të ikin dhe kur e sheh sërish, nxjerr diçka më shumë nga ato pamje”, ka deklaruar Shala./Gazeta Blic/


