• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Disa më rrahën, te dikush fjeta në oborr 2 net për të marrë një kasetë”/ Shala rrëfen vështirësitë për të siguruar dëshmitë e luftës

12/13/2025 17:06
nga:G B

Pas luftës, Esati nisi kërkimin e një fotografie, një kujtimi të luftës, që nuk e gjeti kurrë. Por, ai kërkim e çoi drejt një misioni më të madh, atë të grumbullimit të dëshmive të luftës, një kërkim që iu bë obsesion që vazhdon ta ketë edhe sot.

Por, rruga nuk ishte aspak e lehtë. Vështirësitë për të ishin të mëdha, shpesh i rrahur nga njerëz që refuzonin t’ia jepnin dëshmitë e luftës, e shpesh duke fjetur dy net në oborr të dikujt – vetëm që të merrte një kasetë. Pamjet e rënda që kishte parë të masakrave ia kishin vështirësuar shpesh vazhdimin e punës, por nuk e kishin ndalur.

Sot, arkivi i tij përmban mbi 30 orë incizime dhe rreth 1.2 milion fotografi.

“Kam filluar në vitin 2004-2005, sepse gjatë luftës ka qenë një gazetar te ne, në mal, norvegjez, që na pati bërë neve disa foto dhe video dhe pas luftës isha i interesuar t’i gjeja fotografitë por s’kam mundur asnjëherë t’i gjej dhe kam vazhduar të kërkoj, më pas e kam gjetur një kasetë që ka qenë e xhiruar lufta në Lladrovc dhe në Llapushnik, e kam shikuar, ka qenë luftë por s’ka pasur njerëz të vrarë dhe çdoherë kam dashur të gjej diçka më shumë. Pastaj duke ndenjur me njerëz me shokë, duke treguar se kishte njerëz që kishin fotografuar, xhiruar, kameramanë dhe ishin i interesuar t’i takoja dhe kam shkuar t’i takoj. Fillimisht ka qenë shumë vështirë t’i bindja që të mi jepnin dëshmitë, një pjesë e kameramanëve edhe më kanë rrahur në atë kohë për shkak se unë s’kam hequr dorë asnjëherë dhe në njëfarë mënyrë iu jam bërë bajat duke ua kërkuar çdoherë, më thoshin “ku po i çon”, “çka po të vyen”, ka pasur raste kur i kam fjetur në oborr personave, 1-2 net, derisa e kam marrë atë kasetë, incizim të luftës por kam arritur t’i bind që të mi japin dhe sot kam raporte të mira me ta, më përkrahin moralisht dhe kontributi i tyre nuk është keqpërdorur asnjëherë, pasi ata i kanë bërë xhirimet dhe jo unë. Ka pasur xhirime që i kam marrë dhe kur i kam shikuar ka pasur shumë masakra dhe ka qenë shumë e vështirë që t’i shikoj apo të vazhdoj me punën që e bëj, ka qenë e vështirë të bindem se ato masakra janë kryer në Kosovë e ne s’kemi dëgjuar gjatë luftës. Për fat të mirë i kam të gjitha masakrat, janë mbi 30 orë incizime, mbi 1.2 milionë fotografi”, ka thënë ai./Gazeta Blic/