Publicisti, Shkëlzen Maliqi, ka folur në lidhje me koalicionet parazgjedhore që janë krijuar për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Maliqi në një intervistë dhënë për dokumentarin ‘Expose’ tha se këto koalicione i sheh si pragmatike dhe të natyrshme.
Ai bëri edhe një parashikim për rezultatin ku tha se pritet që Vetëvendosja të bie edhe për 5%.
“Koalicionet parazgjedhore i kam pa si pragmatike, të natyrshme, s’e këto partitë e vogla që zakonisht nuk e kalojnë pragun, kanë provu gati të gjitha me u rehatu pos Nismës Socialdemokrate që ka mbet ‘vjerr’, nuk di a mundet me u kyç ende në ndonjë formacion. Disa parti kanë provu me pas prurje, ka edhe kapërcime prej një subjekti në të tjera. Përshtypja është se Vetëvendosja me grupacionin e tij është në defanzivë, e kanë marrë një grup të vogël demokristianët, s’di a kanë ndonjë peshë. Këto të tjerat po koncentrohen, ish-opozita, mund të ketë ndonjë ndryshim të rezultatit. Unë po supozoj se Vetëvendosja do të bie edhe për 5%, nuk do të ketë më 48 deputetë por më pak…diku rreth 40. Ketë vit të gjithë vitin e kemi humbur kot, është dashur më herët të kryhet ky proces. Tre zgjedhje i kemi patur sivjet së bashku me lokalet ndërkaq me gjasë do t’i kemi edhe një palë zgjedhje në pranverë edhe s’di a do të dalim lehtë nga kjo krizë” deklaroi Maliqi.
Maliqi tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti po presin tek vota e diasporës por se diaspora sipas tij nuk pritet të votojnë të gjithë për të.
Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka struktura shumë të organizuara në diasporë.
“Kurti po llagarit tek diaspora sepse e ka vetëm një rezervë ku në zgjedhjet e sivjetshme e ka bë njëfarë përparësie në krahasim me partitë e tjera por ajo nuk qon shumë peshë, nuk është diçka vendimtare por e rrit pak votën e tij. Ai po pret se ndoshta për Vitin e Ri vijnë ato masivisht e votojnë këtu por nuk votojnë krejt për atë. Ne që jemi marr me statistika e dimë që këto statistikat në të vërtetë gjithmonë nuk duhet me pa në total. Psh tek diaspora LDK-ja e riorganizume që i ka pas strukturat më të forta më herët, në zgjedhjet lokale por edhe në zgjedhjet më herët është tregu që ka pas përparësi. Nuk është që shkojnë krejt ato vota tek Vetëvendosja por Kurti dhe Vetëvendosja e kanë shpresën tek vota e tyre sepse me populizëm, me atë propagandën se e kanë çliru Kosovën, Veriun, kanë patur efekt tek një pjesë e elektoratit” tha Maliqi në intervistën e dhënë për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


