Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, ka deklaruar se koalicionet e partisë me AKR-në dhe PD-në janë miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm dhe shpreson që votat e këtyre partive të orientohen drejt LDK-së.
Ai për Expose, prodhim i GazetaBlic tha se koalicionet duhet të jenë brenda një mendësie politike që ecën përpara dhe se shumica e votuesve të këtyre partive mbështesin LDK-në.
“Ne, edhe në kuadër të Këshillit të Përgjithshëm, i kemi aprovuar këto koalicione. Edhe me AKR-në, edhe me PD-në, unë pres që të vijë vota e tyre në LDK; është brenda një anijeje. Shpesh po e them që koalicionet do të duhej të ishin brenda një mendësie politike që ecën përpara, dhe kryesisht votuesit e tyre janë edhe përkrahës të LDK-së në të njëjtën kohë”, tha Xhaferi.
Xhaferi gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e diasporës, duke theksuar se në zgjedhjet komunale LDK-ja kishte dalë e para me votat e mërgatës dhe se ky trend pritet të vazhdojë edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai shtoi se mërgata duhet të shihet jo vetëm për vota, por edhe për integrimin ekonomik dhe investimet që mund të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës.
“Unë mendoj se më shumë është duke u krijuar ajo frymë jehone që “ne e kemi diasporën”, por në zgjedhjet komunale ne kemi dalë të parët me votat e diasporës dhe unë besoj se ky trend do të vazhdojë edhe në zgjedhjet nacionale. Mërgatën nuk duhet ta shohim vetëm për vota, por edhe në aspektin ekonomik, të çelim fronte të punës për ta këtu, në aspektin e investimeve, sepse kemi një mërgatë jashtëzakonisht të fuqishme. Në këtë pikë, do të duhej të shihej mërgata jo vetëm për pozicion të votës, por edhe për integrimin e tyre në aspektin ekonomik në Kosovë, që do t’i shërbente ekonomisë së vendit. Ne jemi përkrahës jashtëzakonisht të mëdhenj të mërgatës dhe në këtë pikë unë kujtoj që këto zgjedhje të 28 dhjetorit do të dëshmojnë atë që po e themi edhe ne”, tha Xhaferi.
Emisioni i plotë:


