I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
Gashi thotë se letrat që i janë dërguar LDK-së nga Lëvizja Vetëvendosje, janë dërguar për tu refuzuar.
“Tash edhe teknikalitet, me thënë të drejtën, të parëndësishme tash. Tash ndoshta në aspektin e perceptimit popullor, më mirë shkon me taku, me refuzuar e tjerë, ka ide të ndryshme, po ai është fakti i kryer. Letrat që i janë dërgu LDK-së, i janë dërgu letra për t’u refuzuar. Nuk mundesh ti me i dërgu letrën kundërshtarit tënd politik, të cilin po e projekton si partner të ardhshëm qeverisës, dhe në paragrafin e fundit të letrës t’i thuash se unë po të dërgoj këtë letër dhe po të ofroj kompromis për të formuar bashkëqeverisjen, sepse tash ju keni ndryshuar dhe ata që kanë qenë problem nuk i kemi më në parti. Nuk je ti që na cakton se sa kam ndryshuar unë ose s’kam ndryshuar dhe kush është në parti e kush nuk është në parti. Në letër e ka shkruar ashtu”, tha ai.
Ai shton se Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë është munduar dhe i ka targetuar figurat qëndrore të LDK për me i shkatërru, ku thekson se pjesërisht ia ka arritë.
“Dhe kjo tregon, është folur gjithmonë që Vetëvendosja është munduar dhe i ka targetuar figurat qendrore të LDK-së për me i shkatërru. Dhe pjesërisht ja ka arrit. Një pjesë te figurave qendrore të LDK-së i ka, i ka targetu, ka bërë marketing negativ ndaj tyre, ka kriju video dhe mesazhe, porosi të ndryshme, me propagandë të pavërtetë, me të cilët i ka dëmtuar. Dhe ka, ka arrit pjesërisht, ka pasur pjesërisht sukses. Dhe kur doli nga veprimi i fshehtë në veprimin e hapur, me letër zyrtare të dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, për mendimin tim, ai paragraf është i papranueshëm. Nuk i dërgohet ai paragraf dikujt me të cilin ti pretendon me ndërtu partneritet. Dhe kjo e bëri të pamundur bashkëpunimin, por ndoshta tash në retrospektivë kur e shohim, ndoshta ka qenë e planifikuar që të mos bëhet”, shtoi ai.
Tutje thekson se moskomunikimi me elektoratin dhe paaftësia për të rikthyer besimin e votuesve bëri që një pjesë e tyre të kalonte drejt Vetëvendosjes.
Megjithatë, Gashi ka shprehur optimizëm se një pjesë e elektoratit tashmë është rikthyer dhe LDK-ja do të vazhdojë të punojë për të rikthyer besimin dhe tw bwhen pari konkuruese nw tregun politik.
“E targeton elektoratin e LDK-së. Pra ju e dini se kur Vetëvendosja u rrit, u rrit sepse shkoi elektorati i LDK-së. Pra ishte një moment fatkeq për LDK-në, kur ne në një krizë, të raporteve ndërkombëtare, në moment krize ekonomike, sociale dhe krize me pandemi, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese humbëm edhe qeverinë edhe u detyruam që të shkojmë në zgjedhje pa planifikuar, pa prit brenda 40 dite dhe nuk ishte momentumi me të cilin LDK-ja mujti me e gjet veten shumë shpejt dhe një pjesë e votuesve nuk e mirëkuptuan lëvizjet e LDK-së dhe mosmirëkuptimi i lëvizjeve të LDK-së dhe paaftësia e LDK-së me komunikuar me elektoratin lejoi që atje të shkojnë fiks 50% e elektoratit të LDK-së të shkojë drejt Vetëvendosjes. Normalisht pastaj krijohen raporte, krijohen relacione dhe bëhet problem edhe kthimi.Por gjithsesi në LDK një pjesë e konsiderueshme është kthyer. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë, targetojmë elektorat të ri, targetojmë mënyrën se si të kthejmë besimin te LDK-ja te të gjithë votuesit kosovarë dhe mbi bazën e kësaj të bëhemi parti konkurruese në tregun politik”, përfundoi Gashi.


