• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Më ranë flokët”, “U mbylla në dhomë e qajta” – Osmani për kancerin në gji: Kurrë s’e kam pranuar që jam e sëmurë

10/11/2025 17:57
nga:Genita C

Pas diagnozës dhe këshillës për të hequr gjirin, Arnisa Osmani thotë se momenti i parë i vështirë erdhi kur vëllai i sugjeroi: “Ta largojmë gjirin, mundesh me bo gjirin tjetër.”

Ky moment ka shenjën e një vendimi të rëndësishëm dhe të guximshëm, por që nuk ka qenë aspak i lehtë.

“Mjeku më tha se rikontruktimi bëhet, por pas dy vitesh,” tregon Arnisa, duke shtuar se pas këtyre lajmeve shkoi te familja e saj për t’i treguar nënës, që gjithmonë kishte qenë e fortë dhe pa lot. “Ajo s’ka qeshur asnjëherë, është nënë, e kupton, por nga të tjerët kam dëgjuar se është e fortë,” tregon Arnisa.

Në momentet më të vështira, Arnisa ka gjetur forcë edhe te njerëzit përreth saj.

“Kur rrimë me ty, në vend që ne të të japim forcë, ti na jepe neve,” i thoshin motrat dhe miqtë e saj. Edhe mjekët i shprehnin habinë për energjinë pozitive që ajo shfaqte. “I thash, çka me bo? A me ju kap me rreh, a me kajtë? Nuk e dija çfarë po bëja, por nuk mund të lija veten të bjerë.”

Kur doktori i tha se kanceri mund të përparonte shpejt, Arnisa e kaloi natën e parë pas diagnozës në një izolim emocional.

“Jam mbyllur në dhomë dhe kam filluar të qaj, por kam thënë: ‘Arnisa, inat nuk mbaj me askënd, por me veten do ta mbaj’. Dhe kështu e kuptova se do të luftoja,” thotë ajo.

Për të, çdo ditë ishte një luftë, një betejë që ajo e shihte si një gladiatore në arenë, duke dalë fituese.

Pas operacionit dhe periudhës së kimioterapisë, të cilën e kaloi me shumë forcë dhe mbështetje, ajo tregon se një nga momentet më të vështira ishte kur i ranë flokët, një simbol i femrës.

“Kur dola prej banjës, i thashë mami, flokët më ranë”.

Megjithatë, ajo nuk ka pranuar kurrë që është e sëmurë.

“Kur dola live në një emision, moderatori më tha: ‘Arnisa, këtë sëmundjen tënde…’ dhe i thashë: ‘Kadale, cfarë sëmundje? Unë nuk jam e sëmurë!’”, thotë ajo, duke nënkuptuar se për të, kanceri është vetëm një pjesë e kaluar e jetës, dhe ajo vazhdon të jetojë me guxim dhe forcë.