Kandidati për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, ka prezantuar planet e tij ambicioze për mandatin e ardhshëm, duke u fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësisë dhe kujdesit social në komunë.
Ai për GazetaBlic theksoi se do të vazhdojnë projektet infrastrukturore që janë në proces, duke përfshirë edhe përfundimin e qendrës multifunksionale pranë objektit të komunës.
“Do të vazhdojmë me projektet infrastrukturore, të cilat do t’i përmbyllim, përfshirë këtu qendrën multifunksionale e cila është në afërsi të objektit të komunës,” tha Latifi, duke theksuar angazhimin për një Rahovec më modern dhe funksional.
Në fushën e shëndetësisë, ai premtoi risi të rëndësishme, duke garantuar rritjen e mbështetjes për pacientët dhe sigurimin 100% të barnave esenciale.
“Do të ketë risi në sferën e shëndetësisë, ku do të shtohet mbështetja për pacientët, do ta rrisim buxhetin që të sigurohemi 100% që pacientët të kenë barnat esencial të mjaftueshme,” deklaroi ai.
Një tjetër prioritet do të jetë kujdesi për familjet dhe fëmijët e vegjël, me theks të veçantë në ekipin që viziton gratë lehona dhe fëmijët nga 0-3 vjeç.
Smajl Latifi po ashtu premtoi rritjen e pagesës për çdo lindje në maternitetin e Rahovecit, nga 500 euro sa është aktualisht në 750 euro deri në fund të mandatit.
“Do të vazhdohet gjithashtu për ekipin që shkon i viziton gratë lehona dhe fëmijët nga 0-3 vjeç. Nëse tash e kemi 500 për çdo lindje që ndodh në repartin e maternitetit në Rahovec, do ta bëjmë 750 euro deri në fund të mandatit,” tha Latifi.
Në fushën e kujdesit social dhe edukimit, ai njoftoi se do të vazhdojë përkrahja për personat me nevoja të veçanta, si dhe investimet në sport dhe bursa për nxënësit e shkollave të mesme.
“Për përkujdesjen sociale, kemi impakt shumë pozitiv në trajtimin e kontigjenteve, njerëzve të nevojave të veçanta, sportin do ta përkrahim, do të japim edhe më shumë bursa për nxënësit e shkollave të mesme,” përfundoi ai.


