• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Bulliqi rrëfen përçarjen me LDK-në: Më suspenduan, veç pse nuk e votova Hashim Thaçin për president

09/20/2025 15:53
nga:Genita C

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka kujtuar periudhën e tij si deputet në Kuvendin e Kosovës dhe momentin që, sipas tij, shënoi fillimin e përçarjes së tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Në një deklaratë të dhënë gjatë intervistës për “Expose”, prodhim i GazetaBlic , Bulliqi tha se për herë të parë garoi për deputet në vitin 2013 nga radhët e LDK-së, ku edhe fitoi mandatin. Por, sipas tij, pikërisht pas fitores nisën tensionet brenda partisë.

“Në vitin 2013 jam futur në garë për deputet në Parlamentin e Kosovës nga radhët e LDK-së, ku fitova mandatin e deputetit. Në atë vit filluan edhe përçarjet e para brenda LDK-së, për arsye se atë garë komplet e fituam duke e akuzuar ish-presidentin Thaçi dhe, në momentin kur ne si LDK i fituam zgjedhjet, nga subjekti im politik erdhi kërkesa që tash ish-presidenti Thaçi të votohej për president,” tha Bulliqi.

Ai tregoi se ishte pjesë e një grupi prej pesë deputetësh të LDK-së që refuzuan ta mbështesnin votimin e Hashim Thaçit për president, duke shkaktuar përplasje të drejtpërdrejta me kryetarin e atëhershëm të partisë, Isa Mustafa.

“Në grupin e deputetëve të LDK ishim pesë, atëherë, të cilët kundërshtonim ta votonim Hashim Thaçin për president. Aty lindi çarja e parë mes degës dhe me ish-kryetarin e degës në atë kohë, Isa Mustafa. Ai problem disi u tejkalua, por pas përfundimit të mandatit, përveç Vjosa Osmanit e cila në mandatin tjetër u fut në listën për deputet, neve të tjerëve na suspenduan dhe nuk na dhanë të drejtën për të qenë në garë për deputet,” u shpreh Bulliqi.

Këto zhvillime, sipas tij, ishin ndër faktorët që më vonë ndikuan në largimin e tij nga LDK dhe afrimin me Lëvizjen Vetëvendosje, me të cilën sot synon një mandat të dytë në krye të Komunës së Podujevës.

Intervista e plotë: