Shaqir Totaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka thënë se Qeveria u ka marrë buxhet për shkak të kontratës koletive.
Ai ka thënë se qeveria u ka marrë 7.5 milionë euro për 1 vit ndërsa 17 milionë euro për 3 vite, nga 25 milionë euro për investime kapitale në total.
“Fakti që s’kemi pasur buxhet po e ndërlidhi me një element tjetër ku qeveria qendrore përmes përmbarimeve, sipas kontratës kolektive e ka penalizuar Komunën e Prizrenit dhe jo vetëm neve por konkretisht neve, vetëm këtë vit jemi të penalizuar 7.5 milionë si pasojë e kontratës kolektive kurse tri vitet e mëhershme 10 milionë, minus 17 milionë euro jemi me investime kapitale. Buxheti total është 75 milionë, dikur 35 milionë janë për paga, pastaj mallra dhe shërbime, investime kapitale janë 25 milionë dhe nuk na kanë dalë ato mjete për t’i bërë të gjitha punët të cilat Prizreni ka nevojë por ajo që i motivon është trendi pozitiv dhe ecuria pozitive që për aq sa kemi pasur kompetenca ligjore dhe buxhet, e kemi shfrytëzuar në mënyrë racionale sepse diku 96 për qind të buxhetit e kemi shpenzuar”, është shprehur Totaj.
Por, ai thotë se shpreson që të kemi një kryeministër e qeveri tjetër.
“Problemi s’ka problem me pare, ka problem pa pare se atë buxhet të vogël që po e kemi po na e merr qeveria në mënyrë të padrejtë për shkak të kontratës kolektive që ne as s’kemi marrë pjesë si komunë në nënshkrim të saj, as negocim, as asgjë, por po shpresoj dhe po besoj se do të kemi lëvizje edhe në nivel qendror, do ta kemi ndoshta një kryeministër dhe qeveri tjetër dhe përmirësohet edhe rrethana por tërësia e nevojave të qytetit, proporcionalisht me mundësitë tona financiare është shumë më e madhe. Qyteti ka nevojë shumë gjëra por kapacitetet tona financiare janë ato që janë. Një fakt tjetër, ne kemi pasur organizata ndërkombëtare që kanë mundur të na sponsorizojnë por për shkak të sanksioneve ndaj Kosovës ato bisedime janë stopuar dhe s’kemi mundur të marrim fonde”, ka thënë ai.
I pari i Prizrenit vlerëson se fitorja e tij pa balotazh në këtë komunë është e vështirë, megjithatë shpreson dhe beson se do të fitojë sërish.
“Prizrenin me e fitu pa balotazh është shumë e vështirë. Asnjëherë s’është fituar pa balotazh. Unë e konsideroj që përparësitë e mia komparative në krahasim me kundërkandidatët tjerë janë më të mëdha. Përparësia kryesore është performanca e mirë gjatë këtyer katër viteve por edhe një vizion i cili është i bazuar në profesionalizëm, integritet, edhe në planin për të ardhmen dhe puna e mirë si qeverisje lokale si punë ekipore që e kemi bërë, unë e bazoj në performancën e mirë, në kualitete të mia e jo në dobësi të kundërkandidatëve. Konkretisht pres dallim të madh, vështirë të përmbyset por garës asnjëherë nuk i dihet, unë s’po dua të them që kjo punë është e kryer, nuk është e kryer. Gara është serioze, kundërkandidatët kanë autoritet përkundër që mund t’i kenë dobësitë e tyre por po them përparësia jonë kryesore është performanca në këto 4 vite dhe vizioni, plani për të ardhmen dhe aftësia e lidershipit dhe menaxhmentit dhe puna ekipore që e kemi bërë. Prandaj në këto baza unë shpresoj dhe besoj se do të jemi fitues të 12 tetorit”, ka deklaruar Shaqir Totaj./Gazeta Blic/


