Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka deklaruar se do të realizojë projekte të rëndësishme të mbetura pasdore, si ndërtimi i sheshit dhe zhvillimi i lumit Sitnica.
Ai ka theksuar se sheshi, i miratuar nga Kuvendi Komunal, mbeti i papërfunduar për shkak të kryetarit aktual, Imri Ahmeti , duke shkaktuar humbjen e 1.2 milionë eurove.
“Projekti që është përfunduar dhe që identifikohemi ka qenë rruga katër korsi, e cila është bastarduar nga Imri Ahmeti. Ka bërë një ndërhyrje të ashpër, janë humbur investime me vlerë 1 milion e 200 mijë euro. Pastaj, nuk ka mundur ta realizojë sheshin, i cili ka qenë një projekt i aprovuar nga Kuvendi Komunal. Sheshi ka pasur të shtrihet deri te lumi Sitnica, por realisht ka mbetur kështu siç është, sepse u largova nga pozita e kryetarit”, tha Buja.
Për projektin e lumit Sitnica, Buja tha se do të krijohet një shteg për çiklistët dhe këmbësorët, dhe do të mundësohet kalimi mes dy pjesëve të qytetit përmes urave.
Ai tha se po angazhohet që këto projekte do të bëhen realitet në mandatin e tij të ardhshëm si kryetar i Lipjanit, për të sjellë zhvillim dhe mundësi më të mira për qytetarët.
“Është një projekt i lumit Sitnica, që nga viti 2012 ka qenë një projekt i jashtëzakonshëm dhe tani do ta realizoj. Përveç kësaj, do të bëhet edhe shtegu i çiklistëve, i këmbësorëve, po ashtu edhe lojërat për fëmijë. Do të thotë që ka shumë pjesë atraktive, janë edhe urat që mundësojnë kalimin nga një pjesë në tjetrën, duke mundësuar kalimin nga një pjesë në tjetrën”, shtoi ai për GazetaBlic.


