Analisti politik Arben Fetoshi ka reaguar ashpër ndaj krizës aktuale politike dhe bllokimit të institucioneve, duke theksuar se situata është serioze dhe rrezikon sigurinë kombëtare të Kosovës.
Në një deklaratë për Expose, prodhim i GazetaBlic, Fetoshi tha se vendi nuk është në pozicionin e një shteti të konsoliduar si Belgjika, që mund të përballojë periudha të gjata pa institucione funksionale.
“Kjo situatë është për keqardhje, sepse Kosova nuk është Belgjikë. Mungesa e institucioneve përbën një pikë të dobët në parandalimin dhe përgjigjen adekuate që duhet t’i jepet çfarëdo kërcënimi për sigurinë nacionale,” u shpreh ai.
Fetoshi paralajmëroi se ky ngërç institucional po e lë shtetin të ekspozuar dhe të papërgatitur për të reaguar ndaj sfidave të sigurisë, sidomos në raport me kërcënimet hibride që, sipas tij, vijnë nga Serbia.
Ai kritikoi të gjitha partitë politike për mënyrën si po e menaxhojnë situatën, duke thënë se Parlamenti është kthyer në skenë të fushatës së hershme zgjedhore, në vend që të funksionojë si institucion për zgjidhjen e krizës.
“Ne kemi të bëjmë me një lojë politike të të gjitha partive, që tashmë përmes këtij ‘seriali’ që po e shohim në Parlament, të bëjnë fushatë për zgjedhjet e ardhshme. Shpresoj që ky ngërç të kalohet sa më shpejt, sepse Kosova ka nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse, e cila do t’i ndërtonte saktë strategjitë e duhura që ta kundërshtojnë kërcënimin hibrid që na vjen nga Serbia,” tha Fetoshi.
Ai apeloi për urgjencë politike dhe konsensus ndërmjet forcave parlamentare për të rikthyer funksionalitetin institucional dhe për t’u përballur me sfidat reale që e rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit./GazetaBlic/
Intervista e plotë:


