Anëtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Bardh Ahmeti, ka kritikuar ashpër Vetëvendosjen për qasjen e saj ndaj situatës politike dhe institucionale në vend, duke e quajtur të dëmshëm ngërçin aktual dhe duke paralajmëruar pasoja ligjore për veprimet e qeverisë në detyrë.
Në një intervistë për Expose, prodhim i GazetaBlic, Ahmeti theksoi se situata e krijuar është rezultat i një ligji të miratuar nga vetë VV-ja në vitin 2021, që tash po prodhon konflikt institucional.
“Ne besojmë që ky ngërç është shumë i dëmshëm. Jemi në një kaos ku ministrat po pretendojnë të jenë ministra, ndërkohë që janë deputetë, dhe pikërisht për shkak të një ligji që VV e ka sjellë vetë në vitin 2021. Ka një konflikt, i cili besoj se do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Ahmeti.
Duke folur për bisedimet dhe zhvillimet rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve, ai akuzoi VV-në për tentativë pazari politik.
“Për PSD-në, ajo çfarë ka ndodhur deri tani dhe çfarë pritet të ndodhë është vetëm një tendencë për pazare. VV po kërkon votim të fshehtë – kjo është pazar. Kjo qasje e VV-së është e dëmshme, sepse ata po tentojnë që këtë fazë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit ta kalojnë pa dhënë asgjë, ndërsa pazarin po dëshirojnë ta lënë vetëm për Qeverinë”, shtoi ai.
Ahmeti gjithashtu vuri theksin te përgjegjësia që, sipas tij, bie mbi VV-në si partia fituese e zgjedhjeve dhe theksoi se presioni politik dhe publik duhet të drejtohet ndaj saj.
“Ne besojmë që përgjegjësia për bllokimin e institucioneve bie mbi partinë fituese, VV-në, sepse edhe vendimi i Kushtetueses u jep atyre të drejtën e propozimit. Por në këtë moment, ne besojmë që presioni duhet të jetë mbi VV-në.”
Situata nuk është më e mirë as në Qeveri, sipas Ahmetit, i cili ngriti shqetësimin për ligjshmërinë e veprimeve të përditshme të qeverisë në detyrë.
“Ne kemi bllokadë edhe në Qeveri. Kemi një ‘qeveri në detyrë’ e cila potencialisht çdo ditë është duke bërë shkelje ligjore. Ne besojmë që në fund të këtij procesi, këta ministra do të përballen edhe me përgjegjësi ligjore. Prandaj është shumë e nevojshme që Kosova të ketë një Kuvend dhe një Qeveri funksionale”, përfundoi ai./GazetaBlic/
Intervista e plotë:


